Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, është shprehur se masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës duhet të largohen sa më parë.
Sipas Kusari-Lilës, ato kanë qenë të paarsyeshme dhe tërësisht të padrejta.
Këto deklarime i ka bërë për KosovaPress, derisa ka shtuar se pret që pas vendosjes së strukturave të reja të BE-së, pas zgjedhjeve të fundit atje, të ketë vendimmarrje pozitive për largimin e masave, si dhe të ndryshojë qasja, siç e quan ajo diskriminuese ndaj Kosovës.
Kusari-Lila mes tjerash deklaroi se propozimi për masat ishte i emisarit evropian për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak.
“Deri tani masat ndaj Kosovës kanë qenë të paarsyeshme dhe tërësisht të padrejta…Kosova është ende nën masa për arsye të zbatimit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë me shkuarjen e kryetarëve të zgjedhur në mënyrë legjitime në komunat veriore, ndërsa Serbia nuk është ndër masa dhe s’ka pasuar pasoja nga mbështetja e një sulmi terrorist në Kosovë dhe cenimi i sovranitetit tonë. Është dashur sa më parë që këto të hiqen, natyrisht duke marrë parasysh veprimet dhe gatishmërinë e institucioneve tona për të qenë në përputhje dhe bashkërendim me politikën e jashtme të BE-së…Ne shpresojmë që të ketë qasje krejtësisht tjetër, e kemi pa të gabuar dhe diskriminuese qasjen ndaj Kosovës dhe në veçanti propozimin e ndërmjetësit Lajçak për t’i vënë masa Kosovës”, theksoi Kusari-Lila. /Gazeta Enigma