Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë takimit që pati këtë të marte me ministren e Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, i ka kërkuar vazhdimin e mbështetjes gjermane edhe për anëtarësimin e Kosovës në KiE, NATO, BE dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
Osmani gjatë takimit me Baerbockun ka theksuar se synimi i institucioneve të Kosovës është integrimi i serbëve në shoqëri dhe institucione, por sipas saj, një gjë e tillë po pengohet nga Serbia dhe presidenti i saj, Aleksandar Vuçiq.
“Presidentja Osmani ka theksuar se synimi i institucioneve të Kosovës është integrimi i serbëve në shoqëri dhe institucione, porse një gjë e tillë po pengohet nga Serbia dhe presidenti i saj. Në këtë kontekst, Presidentja ka potencuar se në procesin e dialogut me Serbinë, Kosova ka treguar përkushtim për t`i adresuar çështjet që janë në interes të qytetarëve dhe të paqes e stabilitetit rajonal”.
“Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova e ka pranuar marrëveshjen bazike dhe aneksin e Ohrit të propozuar nga Bashkimi Evropian dhe mbështetur nga SHBA-të, ndaj marrëveshja duhet të zbatohet si e plotë”, thuhet në njoftimin e presidencës.
Tutje, Osmani tha se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Gjermanisë fuqizohen edhe më shumë nga numri i mërgimtarëve kosovarë, të cilët sipas saj, janë integruar me sukses në shoqërinë gjermane.