ZPS për dëshmitaren e radhës: E ka të zhdukur bashkëshortin që nga koha kur u rrëmbye nga anëtarët e UÇK-së

ZPS për dëshmitaren e radhës: E ka të zhdukur bashkëshortin që nga koha kur u rrëmbye nga anëtarët e UÇK-së

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitarja e 94-të e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Stamena Jeliq e cila mban kodin 01163 dhe është duke dëshmuar përmes video-lidhjes në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Pyetjet për këtë dëshmitare i ka filluar përfaqësuesja e ZPS-së, prokurorja Alexandra Insinga. Gjatë përmbledhjes së lexuar në gjykatë, kjo dëshmitare e ka të zhdukur bashkëshortin që nga koha kur pretendohet se është marrë nga shtëpia e tij nga anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Po ashtu, sipas ZPS-së, kjo dëshmitare ka parë rrëmbimin dhe keqtrajtimin e një komshiu të saj nga pjesëtarë të UÇK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Në verën e 1999-ës, dëshmitari 01163-serbe jetonte në Rahovec së bashku me burrin e saj Marko Jeliq dhe me pjesëtar të tjerë të familjes. Me ose rreth datës 16 qershor 1999, 01163 ka qenë dëshmitare e rrëmbimit dhe keqtrajtimit e fqinjit të saj nga ushtarë të UÇK-së. Më vonë atë ditë, dëshmitari 01163 iu tha nga persona të tjerë që tre serb të tjerë që jetonin në afërsi ishin marrë në një automjet nga pjesëtar të UÇK-së. Më 9 gusht 1999, burri i 01163 u mor nga shtëpia e tij nga tre anëtarë të UÇK-së në prani të 01163 nga anëtarë të UÇK-së. Ai nuk u kthye kurrë në shtëpi dhe është i zhdukur që nga ajo kohë. Nëna e Marko Jelliq ka kontaktu komandantin e UÇK-së në atë kohë për të marrë informacion lidhur me djalin e saj, por pa sukses. Nga gjithë serbët e rrëmbyer vetëm trupi-kufoma e Panta … është gjetur”, tha prokurorja gjatë leximit të përmbledhjes.

“Ajo që kam thënë atëherë do ta thoja edhe tani. Të njëjtën gjë”, tha Jeliq kur u pyet se a i qëndron prapa deklaratave që kishte dhënë më herët.

Dëshmitarja tha se emrat e këtyre personave janë Zveta Gergoviq, Nego Dediq, Tihomjer Milkoviq e po ashtu edhe Marko Vidoseviq.

Si rrjedhojë u pranuan në prova materiale në gjuhën shqipe, serbe dhe angleze deklaratat e më hershme të dëshmitares të cilat i ka dhënë në autoritetet e drejtësisë vite më parë.

Këto deklarata u klasifikuan si publike për t’u përdorur për kundërpyetje por jo për publikun.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, dëshmia e kësaj dëshmitare do të zgjasë rreth një ditë e që një orë e gjysmë nga kjo kohë janë ndarë për pyetjet e Prokurorisë. Mbrojtësi i viktimave ka parashtruar se i duhen rreth 15 minuta ndërsa mbrojtjes së të akuzuarve iu duhen rreth dy orë e gjysmë për kundërpyetjet e tyre.

Përpara kësaj, trupi gjykues dha urdhër lidhur me kundërshtimet për kronologjinë e provave të paraqitura nga mbrojtësi i viktimave dhe për kërkesën e mundshme të tyre për dëmshpërblim.
“Është përcaktuar afati kohor lidhur me kundërshtimet për kronologjinë e provave të paraqitura nga mbrojtësi i viktimave dhe kërkesën për dëmshpërblim. Trupi gjykues ka konstatuar se gjatë seancës së djeshme mbi ecurinë e çështjes, mbrojtësi i viktimave ka parashtruar se korniza ligjore e DhSK-së, çështjet që janë pjesë e viktimave pjesëmarrëse në këtë procedurë do të paraqitën pas mocionit i mundshëm që mund të paraqiten sipas rregullës 130 dhe mbi të cilën mund të marri një vendim trupit gjykues. Po ashtu, mbrojtja e viktimave parashtrojë që synon të paraqes kërkesë për dëmshpërblim pas aktgjykimit të dhënë nga trupi gjykues”, tha Charles Smith III.

Tutje, Smith urdhëroi palët lidhur me parashtrimet e tyre sa i takon kësaj kronologjie të parashtruar nga mbrojtësi i viktimave.

“Palët urdhërohen që të parashtrojnë kundërshtimet e tyre sa i përket kronologjisë siç është parashtruar nga mbrojtësi i viktimave me afat për të hënën me 2 dhjetor 2024”, tha Smith III.

Ndërsa, urdhri i dytë kishte të bënte me kërkesën e ZPS-së për rivlerësim të pjesshëm të një vendimi të trupit gjykues të 30 shtatorit 2024. Mbrojtja kishte pohuar se nuk e ka kundërshtuar kërkesën e prokurorisë për sa kohë disa redaktime mbahen ashtu sic janë për cka ishte pajtuar edhe ZPS-ja. Kështu, trupi gjykues aprovoi kërkesën e ZPS-së pas arritjes së marrëveshjes në mës palëve duke ndryshuar më pas vendimin

Vlen të theksohet se të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit përmes video-lidhjes.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Related Articles