“Aty ku pajtohemi, s’bëhet kurrë lajm” – Kurti flet për raportet me Ramën

“Aty ku pajtohemi, s’bëhet kurrë lajm” – Kurti flet për raportet me Ramën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së fundmi ka folur për raportet e tij me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën.

I pyetur nga 1 deri në 10, si janë raportet me kreun e Shqipërisë, Kurti është shprehur se nuk mund ta bën një kuantifikim të tillë.

Megjithatë ai ka thënë se në kuptimin e vizionit të përbashkët, ata nuk kanë dallime mes vete.

”Nuk mund ta bëj një kuantifikim të tillë, por mund të them që kemi marrëdhënie të shkëlqyeshme midis dy qeverive. E kemi bërë tregun e përbashkët energjetik, kemi hapur 26 vendkalime të reja kufitare për 200 mijë banorët e zonës ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, kemi mbajtur dy mbledhje të përbashkëta të qeverive me 58 marrëveshje të reja dhe gjithashtu po bëjmë bashkëfinancime në kulturë, në ekonomi e kështu me radhë, me ç’rast Kosova ka edhe dy zyra të veçanta doganore në Porto Romano dhe në Durrës”.

”Do ta bëjmë edhe hekurudhën Prishtinë-Durrës. Në kuptimin e projekteve zhvillimore të planeve të punës, të vizionit të përbashkët, nuk kemi dallime, por duhet ta keni parasysh që aty ku pajtohemi, s’bëhet kurrë lajm. Aty nga njëherë kur kemi dallim, ajo bëhet lajm dhe përpiqet që të eksploatohet në mënyrë të pamëshirshme”, u shpreh ai për Qendrën Kulturore Shqiptaro-Amerikane Struga në SHBA, të publikuar të shtunën.

Tutje Kurti përmendi se rreth Ballkanit të Hapur, dallimi mes tij dhe Ramës është se “më së shumti është shpërdorur”.

”Unë besoj që dallimi i cili më së shumti është shpërdorur është ai rreth Ballkanit të Hapur, duke u përpjekur që atë dallim që e kemi për çështjen e Ballkanit të Hapur ta vendosin në çdo çështje e në çdo temë në mënyrë të padrejtë”, tha ai. /Gazeta Enigma

Related Articles