Dy të akuzuarit Momir Pantiq e Zharko Zariq kanë dalë para Gjykatës Themelore në Prishtinë nën akuzat për krime lufte në Istog. Ata janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat e prokurorisë speciale. Momir Pantiqi ka qenë kryeshef i policisë për Istog dhe ai sipas prokurorisë, është përgjegjës për veprimet e policisë në këtë komunë, ku u kryen edhe masakrat e Sarandranit dhe Dubravës
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të hënën, ka nisur gjykimi ndaj Momir Pantiqit e Zharko Zariqit, të akuzuar për krime lufte në Istog në periudhën 1998-1999.
Prokuroria Speciale në aktakuzë e bën përgjegjës Pantiqin për veprimet e policisë në Istog, përfshirë masakrat si ajo e Dubravës dhe e Saradranit.
Prokurori Ilir Morina ka thënë se si kryeshef policor i Istogut, Pantiq, është përgjegjës për masakrën në familjet Salihaj e Lipaj.
“Nën udhëheqjen e të pandehurit Pantiq, rreth orës 6:00 të mëngjesit, përderisa anëtarët e familjes Salihaj ishin në shtëpinë e tyre, kanë vërejtur se po digjej sana dhe me të dal në oborr për të parë se çfarë po ndodhte, kanë vërejt se ishin të rrethuar nga pjesëtarë të policisë serbe të Stacionit Policor në Istog….viktima Fatime Salihaj refuzoi të largohej nga trupi i pajetë i djalit të saj Hysniut dhe qëndroi në shtëpi, kurse në mbrëmje policia u dha urdhër që trupat e viktimave të varrosen gjë që ndodhi me datë 30.08.1998 kur trupat e viktimave (1) Isa Salihaj, (2) Shaban Salihaj, (3) Arben Salihaj, (4) Hysni Salihaj, (5) Hysen Salihaj, (6) Milaim Salihaj, (7) Abedin Salihaj, (8) Nazmi Gashi (nip i familjes Salihaj) u varrosën në varrezat e fshatit, ndërsa për fatin e Fatime Salihaj nuk u kuptua deri kur trupi i saj i pajetë është gjetur në fshatin Padalishtë”, ka thënë Morina.
Si Pantiq ashtu edhe i akuzuari Zharko Zariq, akuzohen për vrasje, torturë, trajtim çnjerëzor, frikësim, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullatës shqiptare në Komunën e Istogut.
Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale thuhet se Zariq me pjesëtarë të forcave serbe kanë keqtrajtuar civilë shqiptarë.
“Duke i goditur me kondak të kallashnikovit dhe me shqelma në pjesë të ndryshme të trupit, kurse në një çast i pandehuri Zariq e kishte kapur të dëmtuarin Sadush, duke e ngritur nga toka dhe e kishte mbështetur për traktori, në ato momente kishte kaluar një traktor tjetër me drita, pasi që ishte errësirë, dhe i dëmtuari e kishte parë fytyrën e të pandehurit të cilit ju kishte drejtuar me fjalët ‘Zharko ti je a’, për çka i pandehuri Zariq ishte revoltuar dhe ia kishte futur tytën e automatit në gojë, duke ia shqyer buzës e poshtme në anën e djathtë dhe ia ka lënduar qiellzën e gojës, me ç’rast të dëmtuarit i kishte filluar gjakderdhja nga goja”, ka deklaruar prokurori Morina.
Pantiq e Zariq nuk i pranuan akuzat e prokurorisë.
“Nuk jam fajtor. Jam fajtor vetëm për një gjë, që i kam shpëtuar jetët e mijëra shqiptarëve në Istog bashkë me ata policët që po më akuzoni, bashkë me të dhe këtë e dinë 98 për qind e njerëzve në Istog. Nuk kam qenë kryeshef policor, por i Ministrisë së Punëve të Brendshme”, ka thënë Pantiq.
I pafajshëm u deklarua edhe i akuzuari tjetër.
“Nuk i pranoj akuzat. Nuk kam qenë kryerës e as bashkëkryerës”, ka thënë Zharko Zariq.
Të pandehurit akuzohen se kanë marrë pjesë në dëbimin e popullatën civile shqiptare nga shtëpitë e tyre në Komunën e Istogut, po ashtu, kanë marrë pjesë në plaçkitje, djegie të rreth 5 mijë shtëpive, shkatërrimin e pronave si dhe në vrasjen e 260 personave, prej të cilëve 19 janë fëmijë.