Kurti para Samitit të Berlinit takohet me ministrin britanik dhe emisarin Peach

Kurti para Samitit të Berlinit takohet me ministrin britanik dhe emisarin Peach

Shefi i ekzekutivit kosovar, Albin Kurti, të hënën në prag të Samitit të Procesit të Berlinit, ka zhvilluar një takim me ministrin e Shtetit për Evropë, Amerikë Veriore dhe Territore të Mbretërisë së Bashkuar, Stephen Doughty dhe emisarin britanik për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach, raporton Gazeta Enigma.

“Në Berlin, në prag të Samitit të Procesit të Berlinit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim bilateral me ministrin e Shtetit për Evropë, Amerikë Veriore dhe Territore të Mbretërisë së Bashkuar, Stephen Doughty bashkë me të dërguarin e Posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.

Në këtë takim është diskutuar për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

“U diskutua për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, fushat e ndryshme të bashkëpunimit ndërshtetëror, me theks tek ajo e mbrojtjes, proceset integruese Euro-Atlantike të Kosovës dhe mundësitë e reja në shërbim të thellimit të raporteve bilaterale. Të dyja palët uruan Forcën e Sigurisë së Kosovës për suksesin në Garën “Cambrian Patrol” në Mbretërinë e Bashkuar, ku ekipi i FSK-së u radhit i dyti, duke u shpërblyer me medalje të argjendtë në mesin e ekipeve nga 36 shtete të ndryshme të botës”, thuhet në njoftim.

Kurti ka thënë që “marrëdhëniet e mira fqinjësore janë kyçe për bashkëpunim e integrim rajonal”.

Related Articles