Shqipëria ka hapur kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian më 15 tetor.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në konferencën e përbashkët me ministrin hungarez të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Peter Szijjarto, në Luksemburg, e vlerësoi si historik këtë moment.
“Çelja e kapitujve përbën arritje të madhe dhe shënon gurthemel historik në rrugëtimin e përbashkët. Çdo sukses që Shqipëria në procesin e BE-së duhet të shihet si hap për të gjithë rajonin. Për Shqipërinë nuk ka tjetër të ardhme”, tha Rama.
Sipas metodologjisë së re, në procesin e zgjerimit fillimisht është hapur grupi i parë ku janë kapitujt që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit. Progresi në këtë fushë do të diktojë edhe përparimin në tërë procesin negociator.
Kryediplomati hungarez Szijjarto tha se procesi i zgjerimit të BE-së duhet të përshpejtohet.
“Na duhet energjia e re dhe kjo do të vijë nga hapësira e Ballkanit Perëndimor. Është në interes të BE-së që zgjerimi të përshpejtohet. Na duhet të marrim hapa urgjente për të ruajtur besueshmërinë e politikës së zgjerimit. Duhet të përshpejtojmë procedurën e zgjerimit tani”, tha ai.
Szijjarto theksoi se Shqipëria është gati për t’iu bashkuar BE-së, duke shtuar se shpreson që Brukseli të bëjë “detyrat burokratike”, dhe që një tjetër konferencë të realizohet brenda presidencës hungareze.
Edhe komisioneri për zgjerimin e BE-së, Oliver Varheyli nënvizoi rëndësinë e zgjerimit të BE-së.
“Dua të falënderoj presidencën e Hungarisë që vendosi zgjerimin si përparësi politike dhe bëri përpjekje të jashtëzakonshme për ta nxitur më tej. Na duhet zgjerimi, që BE-ja të bëhet më e forte”, tha Varheyli.
Shqipëria ka pritur disa vite që të hapë negociatat për anëtarësim. Tani, pas hapjes së kapitujve të parë pritet që procesi të jetë më i shpejtë.
Me hapjen e grupit të parë të kapitujve, është zyrtarizuar ndarja e paketës ku Tirana ishte së bashku me Maqedoninë e Veriut.
Për disa vite vendimet janë marrë paralelisht për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa tash rrugët janë ndarë.
Rruga e Shkupit drejt BE-së vazhdon të jetë e bllokuar nga Bullgaria, për shkak të mosmarrëveshjeve dypalëshe.
Lidhur me ndarjen e rrugës evropiane të Tiranës dhe Shkupit, Rama shprehu keqardhje.
“Ndihem në siklet sepse më duhet të mendoj për poshtërimin e Maqedonisë së Veriut që u detyrua të ndryshonte edhe emrin për t’u futur në këtë proces. U qëndroj të njëjtave gjëra që kam thënë për miq tanë bullgarë, sepse historia nuk mund të jetë arsyeja për të ndaluar bisedimet e anëtarësimit për asnjë vend”, tha Rama.
Arsyeja e ndarjes së Shqipërisë në këtë rrugëtim drejti BE-së, është se Maqedonia e Veriut nuk e ka përmbushur kushtin e vendosur nga Bullgaria, që të përfshijë në preambulën e Kushtetutës minoritetin bullgar. Ky kusht është futur në kornizën negociuese që Parlamenti maqedonas votoi në korrik të vitit 2022, propozim që njihet edhe si “propozimi francez”.
Vendimi për hapjen e kapitullit të parë u mirëprit nga presidenti shqiptar, Bajram Begaj, i cili tha se mbush me shpresë shqitarët për realizimin “e ëndrrës së kahershme ‘E duam Shqipërinë si gjithë Evropa'”.
Shqipërinë e ka uruar edhe presidenja e Kosovës, Vjosa Osmani. Ajo tha se Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera demokratike të rajonit duhet të vazhdojnë të bëjnë përparim në rrugën evropiane “që është thelbësore për të siguruar paqe të qëndrueshme dhe stabilitet, jo vetëm për rajonin, por gjithë Evropën”./REL