Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, bashkë me deputetë të tjerë të opozitës kanë mbajtur konferencë përpara RTK-së, pasi mediumi publik e ndali transmetimin e seancës së jashtëzakonshme të kuvendit në kanalin qendror.
Tahiri tha se transmetimi i seancave parlamentare nga RTK-ja janë obligim ligjor e kushtetues që duhet t’i përmbush ky institucion dhe sipas tij, t’i transmetojë mesazhet e përfaqësuesve të popullit.
“Fakti që në një seancë ku po trajtohet një super skandal i kësaj qeverie, ndalet për fjalimin e kryeministrit që ishte në një konferencë tregon shumë saktë, shumë drejt, e shpërfytyron regjimin e Kurtit se duan ta ndalin fjalën, debatin, argumentin dhe ashtu si kanë ardhur me mashtrim, të mashtrojnë popullin për të bëmat e tyre, të cilat jo vetëm që po i japin hije të keqe vendit, por po e dobësojnë secilën pore të secilit institucion të pavarur”, deklaroi ai.
“Ku ka bre logjikë, duke u transmetuar kuvendi me seancë të jashtëzakonshme me 40 nënshkrime me ndalë dikush. Kush është ai njeri që e ka dhënë vendimin me e ndalë transmetimin e diskutimit në kuvend të deputetëve të institucionit që e ka themeluar këtë institucion”, pyeti deputeti.
Tutje, Tahiri tha se urdhëruesi për ndalimin e transmetimit të seancës së jashtëzakonshme duhet të japë llogari e të tregojë arsyen e ndaljes së transmetimin.
“Kjo nuk ka tjetër emër, përveç tendencë për ta mbytur fjalën e lirë dhe njëkohësisht ta ndalin porosinë e cila është e drejtpërdrejt se këtu ka të bëjë me një qeveri e cila e kthej Kosovën mbrapa”.
“Ne si deputetë që jemi këtu, kërkojmë nga ky institucion që të mos ta privatizojnë pasi është i popullit, dhe ne nuk do të rrimë larg saj, por do ta përçojmë porosinë përmes transmetuesit publik”, tha ai.