Ligji i ri për Zgjedhjet e Përgjithshme, i miratuar në vitin 2023, ka sjellë ndryshime të rëndësishme për procesin e votimit me kusht në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të zhvillohen më 9 shkurt 2025.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), votimi me kusht nuk do të jetë i mundur në të gjitha Qendrat e Votimit, siç ka ndodhur në proceset zgjedhore të kaluara. Ky lloj votimi do të ofrohet vetëm në qendrat e caktuara nga KQZ-ja, shkruan Gazeta Enigma.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, e prezantoi këtë ndryshim përmes një videomesazhi, duke theksuar se lista e Qendrave për Votim me Kusht do të publikohet në faqen zyrtare të KQZ-së dhe në kanalet e tjera të komunikimit.
Në zgjedhjet e fundit për Kuvendin e Kosovës, mbajtur më 14 shkurt 2021, ishin të pranishme 888 Qendra Votimi në 38 komunat e Kosovës, ku votimi me kusht ishte i mundur në çdo qendër./GazetaEnigma/