Reagon Murati: Raporti i BB-së u keqcitua, për 3 vjet të Qeverisë Kurti u shtuan mbi 78 mijë vende pune

Reagon Murati: Raporti i BB-së u keqcitua, për 3 vjet të Qeverisë Kurti u shtuan mbi 78 mijë vende pune

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka bërë një reagim sepse sipas tij raporti i Bankës Botërore është keqcituar, duke pretenduar se ai po demanton shifrat e qeverisë, raporton Gazeta “Enigma”.

Përmes një postimi në profilin e tij në Facebook tha Murati u shpreh se për periudhën trivjeçare të Qeverisë Kurti, sipas raportit janë shtuar 78 mijë 427 vende pune dhe tha se për krahasim, gjatë qeverisjeve të kaluara janë shtuar vetëm 44 mijë 228 vende pune, për 8 vjet.

“Si ka ecur numri i të punësuarve dhe shkalla e papunësisë nëpër vite? Ditë më parë ishim dëshmitarë se si media të afërta me opozitën tentuan të keqpërdorin një raport të Bankës Botërore, duke e keqcituar dhe duke pretenduar se raporti po demanton shifrat e Qeverisë. Por ku qëndron e vërteta sa u përket shifrave të punësimit dhe papunësisë?”

“Sipas statistikave zyrtare të ASK-së:  Në fund të vitit 2023 kanë qenë 425 mijë të punësuar. Për periudhën 3-vjeçare të Qeverisë Kurti, sipas raportit janë shtuar 78,427 vende pune. Për krahasim, gjatë qeverisjeve të kaluara janë shtuar vetëm 44,228 vende pune, për 8 vite. Vitet kur ka pasur zgjedhje, në qeveritë e kaluara vërehet një rritje e përkohshme e të punësuarve, e cila pastaj vitin pasues zhbëhet dhe numri i të punësuarve ulet përsëri. Kjo dëshmon për punësimin e paqëndrueshëm gjatë fushatave zgjedhore kur qeverisnin të tjerët”.

“I vetmi rast kur edhe pas vitit zgjedhor vazhdon rritja e punësimit, është në Qeverinë Kurti, përkundër faktit që në vitin 2021 kishim zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale. Kjo dëshmon se punësimi gjatë qeverisjes sonë ka qenë i qëndrueshëm, dhe se masat që kemi ndërmarrë për mbështetje të ekonomisë kanë funksionuar”, ka shkruar Murati.

Tutje ministri i financave ka deklaruar se shkalla e papunësisë nga 25.9 për qind sa ka qenë në vitin 2020, sipas tij, ka rënë në 10.9 për qind në fund të vitit 2023.

“Shkalla e papunësisë nga 25.9% sa ka qenë në vitin 2020, ka rënë në 10.9% në fund të vitit 2023. Kjo njëkohësisht shënon rënien më rapide të regjistruar ndonjëherë. Gjithsesi, për të evituar diskutimet mbi metodolgjinë e përllogaritjes së shkallës së papunësisë, Qeveria pothuajse çdoherë i është referuar shifrës absolute të të punësuarve, e cila është indikatori më i saktë për të treguar se sa është rritur punësimi”.

“E ky indikator, siç edhe mund të shihet, tregon se në Qeverinë Kurti janë shtuar gati dyfish më shumë vende pune sesa në të gjitha qeveritë tjera bashkë, nga viti 2012 e këtej. Kurse sa i përket shifrës së cituar nga raporti i Bankës Botërore, në një postim tjetër mund të flasim edhe për atë indikator, por të jeni të sigurt që edhe aty kur e shohim trendin nëpër vite, Qeveria Kurti qëndron pakrahasueshëm më mirë sesa qeveritë e kaluara”, shkroi tutje Murati. /Gazeta Enigma/

Related Articles