Prokuroria Speciale i ka nisur hetimet për ministrin ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu lidhur me rastin e ambalazhuesve të ujit, raporton Gazeta “Enigma”.
Sipas burimeve të Betimit për Drejtësi, PSRK-ja ka nxjerrë aktvendim për këtë.
Gazeta Enigma ka provuar të marrë ndonjë informacion nga Prokuroria Specialja lidhur me këtë rast, por deri në publikimin e lajmit nuk ka pranuar përgjigje.
Kujtojmë se lidhur me rastin e ambalazhuesve, më 11 tetor 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë ia caktoi një muaj paraburgim Naser Hafizit, i cili mban pozitën ushtruesit të detyrës së drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Sipas Dosjes së Prokurorisë Speciale, borxhi që operatorët ekonomikë kishin ndaj Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ishte afër 20 milionë euro. Mirëpo, Hafizi dyshohet se kundërligjshëm ka iniciuar nxjerrjen e vendimeve për zvogëlimin e borxheve.
Paraprakisht, Gjykata Themelore në Prishtinë më 9 tetor 2024 ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës duke ia caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditësh, Izedin Bytyqit– zëvendëssekretar në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe armëmbajtje pa leje.