Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa ka folur në lidhje me raportin e Bankës Botërore, për të cilin Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se është keqinterpretuar.
Mustafa tha se nuk kishte ndonjë keqinterpretim dhe se sipas tij, tre qytetarë të Kosovës që janë të aftë për punë, një është në punë, dy nuk janë.
“Banka Botërore thotë që nga tre qytetarë të Kosovës që janë të aftë për punë, një është në punë, dy nuk janë në punë, ky është realiteti dhe fatkeqësia është se ky numër është edhe me i tmerrshëm tek gratë, pra diku në pesë gra që janë të afta për punë, një është në punë, katër nuk janë në punë dhe pastaj tenton z.Murati atje që të dalë dhe të thotë “ju e keni keqinterpretuar”, si mund ta keqinterpretosh, thotë 37 për qind e atyre që janë të aftë për punë janë në punë, 63 për qind nuk janë në punë”, u shpreh ai në emisionin “DPT te Fidani”.
Tutje, duke folur për ministrin Murati, ai tha se ua ka përkeqësuar jetesën qytetarëve dhe sipas Mustafës, në mandatin e tij ushqimet janë shtrenjtuar mbi 60 për qind.
“Në mandatin e këtij Ministri të Financave, ushqimet janë shtrenjtuar më shumë se 60 për qind brenda mandatit të tij, inflacioni i përgjithshëm është 22 për qind, por tek ushqimi është mbi 60 për qind, tek energjia elektrike është mbi 150 për qind, pra krejt çka ka bërë Ministri aktual i Financave në këto katër vjet mandat, është ua ka përkeqësuar standardin e jetesës, standardin e mirëqenies të gjithë qytetarëve të Kosovës”, është shprehur ai.