Pas përfundimit të dëshmisë së Fadil Gecit, dëshmitari i radhës në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së është Nuredin Ibishi, i njohur si “Komandant Leka”.
Seanca u ndërpre papritur, me arsyetimin se duhej bërë një pushim i shkurtër, transmeton Gazeta Enigma.
“Na nevojitet një pushim i shkurtër. Nxjerrni dëshmitarin. Dëshmitari do të bëjë një pushim…”, deklaroi kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, ndërsa seanca kaloi në një përmbajtje të redaktuar.
Prokurorja Silvia D’Ascoli nisi pyetjet për Ibishin, duke prezantuar dokumente që përmbanin deklarata të mëparshme të tij për autoritetet e drejtësisë.
“Kam përpjekur të them të vërtetën, dhe nëse ka ndonjë mospërputhje, do të mundohem ta sqaroj,” tha Ibishi.
Sipas kryetarit të trupit gjykues, dëshmia e Ibishit pritet të zgjasë rreth një deri në dy ditë, me 2 orë e gjysmë të parashikuara për pyetje nga Zyra e Prokurorisë Speciale, rreth 20 minuta për mbrojtjen e viktimave dhe rreth gjashtë orë për mbrojtjen e të akuzuarve.
Ibishi ka qenë dëshmitar edhe në procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës, ku kishte deklaruar se ishte detyruar të votojë për krijimin e Gjykatës Speciale.
Në përfundim të dëshmisë së tij, Fadil Geci u përball me reagimin e Ramë Bujës, i cili e cilësoi dëshminë e Gecit si të pavërtetë.
“Janë të pavërteta thuajse të gjitha përveç faktit që unë gjatë asaj kohe nuk kam qenë në Shtab,” tha Bujë.
Geci, nga ana tjetër, theksoi se Bujë është një bashkëpunëtor i ngushtë i të akuzuarve dhe se ai ka mohuar informacione që nuk duhej të mohonin.
“Bashkëpunëtor më i ngushtë i krejt këtyre kolegëve këtu,” theksoi Geci.
Megjithëse u tha se seanca është në pushim, faqja e transmetimit tregon se seanca është e mbyllur.