Jusuf Azemi, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, ka njoftuar se një punëtore e Kuvendit të Kosovës është dërguar në spital pas injorimit të vazhdueshëm që iu është bërë grevistëve, duke shënuar sot ditën e 37-të të grevës.
Në një postim në Facebook, Azemi ka sqaruar se gruaja ka pësuar presion psiqik dhe ka qenë duke marrë tretman mjekësor në Klinikën e Emergjencës të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës që nga ora 09:00, shkruan Gazeta Enigma.
“Sot, pas 37 ditësh grevë në Kuvendin e Kosovës, injorimi ka çuar në këtë situatë. Sipas mjekëve, ajo ka pësuar lëndime të rënda dhe ka qenë nën trajtim në Emergjencë. Mjeku ka konfirmuar se kjo grua ka pasur presion psiqik,” shkroi Azemi.
Ai theksoi se rasti tregon se si punonjësit e sektorit privat trajtohen.
“Kjo është mirëqenia e punëtorëve të sektorit privat në Kosovë. Situata e saj është një pasqyrë e vështirësive që hasim për shkak të pagave të ulëta, siç janë 279 euro në muaj, që nuk mjaftojnë për jetë dhe barna,” përfundoi ai./GazetaEnigma/