Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, njoftoi se toga e Regjimentit të Këmbësorisë së Jugut, pjesë e Kontingjentit të IV “FLF BGR”, është dislokuar në Bullgari dhe ka përfunduar me sukses muajin e katërt të misionit në stërvitjen “FLASH”.
“Gjatë qëndrimit në Camp Novo Selo, ata treguan aftësi të jashtëzakonshme në skenarë luftimi,” shkroi Vengu në Facebook, duke publikuar një video që tregon momente nga stërvitja, shkruan Gazeta Enigma.
Ai gjithashtu theksoi se, në bashkëpunim me forcat aleate të NATO-s, ushtarët shqiptarë shfaqën profesionalizëm dhe një përgatitje të lartë, duke dëshmuar angazhimin e Shqipërisë për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon./GazetaEnigma/