Gashi kërkon hetime të thelluara për rolin e Dejona Mihalit në tregtimin e energjisë dhe ndërhyrjet në KEK

Gashi kërkon hetime të thelluara për rolin e Dejona Mihalit në tregtimin e energjisë dhe ndërhyrjet në KEK

Kryetari i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka hapur seancën e jashtëzakonshme ku po diskutohet për “skandalet dhe keqmenaxhimin në Korporatën Energjetike të Kosovës”.

Ai theksoi se qëllimi i këtij takimi është sqarimi i zhvillimeve brenda KEK-ut dhe adresimi i përgjegjësive menaxheriale, shkruan Gazeta Enigma.

“Gjatë kësaj seance, është e domosdoshme të zhvillohet një debat i gjerë parlamentar mbi situatën alarmante të shkaktuar nga keqmenaxhimi dhe ndërhyrjet e jashtëligjshme në KEK, të cilat kanë dëmtuar funksionimin dhe integritetin e kësaj korporate jetike për vendin,” tha Gashi.

Ai theksoi nevojën për një diskutim të hapur mbi masat që duhen marrë për të përmirësuar menaxhimin në KEK, rritur transparencën dhe ndaluar ndërhyrjet e paligjshme.

Gashi përmendi skandalet me tenderët njëburimorë dhe mungesën e konkurrencës në prokurimin publik, si dhe shqetësimet që ka shkaktuar shitblerja e energjisë elektrike.

“Raportet tregojnë se KEK ka lidhur kontrata jo të favorshme, duke dëmtuar stabilitetin financiar të korporatës,” vazhdoi ai.

Ai kërkoi hetim të plotë për rolin e Dejona Mihalit, koordinatores së komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, për ndikimin e saj në KEK dhe ndërhyrjet e paligjshme.

“Duhet të diskutohet përfshirja e Dejona Mihalit dhe ndikimet e saj në KEK, duke përfshirë punësimet e paligjshme,” shtoi Gashi.

Ai propozoi një rezolutë që kërkon nga organet kompetente të vazhdojnë hetimet për skandalet në KEK, përfshirë keqmenaxhimin e tenderëve dhe mungesën e konkurrencës në prokurim.

“Kuvendi duhet të kërkojë raportim nga Qeveria për kontratat e shitblerjes së energjisë gjatë periudhës 2001-2024, përfshirë kushtet e favorshme për palët e treta dhe ndikimin në financat publike,” përfundoi Gashi./GazetaEnigma/

Related Articles