Zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, ka paraqitur padi ndaj Abelard Tahirit, Shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, për shpifje, shkruan Enigma.
Padia për shpifje është ngritur në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
“Sot, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i shoqëruar nga avokati im, Genc N. Kadriu, e kam dorëzuar Padinë për Shpifje, ndaj Abelard Tahirit, shefit shpifës të grupit parlamentar të PDK-së”, tha Qorrolli, i cili në postim, emrin, mbiemrin, postin dhe emrin e partisë së Tahirit i shkroi me shkronja të vogla.
Më tej, ai përdori edhe termin “çapaçul” për Tahirin, term që, sipas fjalorit të gjuhës shqipe, përdoret “me kuptim keqësues; i pazoti; i pavlerë, që nuk e përfillin: njeri çapaçul”.
“Çapaçuli shpifës do duhet t’i tregojë tashmë gjykatës dhe përmes saj tërë opinionit publik – se si unë jam propozuar për gjyqtar nga benjaminët e tij politikë të bashkëqeverisjes”, deklaroi zëvendësministri i Drejtësisë.
Ndër të tjera, ai paragjykoi edhe masën që do të merret ndaj Tahirit.
“I ftoj mediat që ta përcjellin ditëve në vijim seancën gjyqësore — me rastin e caktimit të masës së sigurisë për ndalimin e shpifjeve kundrejt personit tim nga një shpifës ordiner si i padituri në fjalë”, shkroi Vigan Qorrolli, zëvendësministër i Drejtësisë.
Shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri, në një konferencë për media të 10 tetorit, pati deklaruar se LVV-ja ishte koordinuar me Listën Serbe për kandidaturën e Qorrollit për anëtar të Gjykatës Kushtetuese.
“Kishin një koordinim me Lëvizjen Vetëvendosje dhe kishin kandidatin e tyre për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese”, pati deklaruar Tahiri në atë konferencë për media.
“Flasim për një kandidat i cili ka qenë më shumë se katër herë në garë e që është përkrahur nga LVV-ja edhe kur ka qenë në opozitë kjo parti, edhe tani në pushtet. Fatmirësisht Vigan Qorrolli nuk arrin të emërohet në Gjykatën Kushtetuese si rezultat i një angazhimit të opozitës së bashku me një pjesë të vogël të deputetëve nga LVV-ja”, ishte shprehur shefi i GP të PDK-së në këtë konferencë.