Në raportin e fundit të World Justice Project, Shqipëria renditet në vendin e 89-të për sundimin e ligjit, duke humbur pikë krahasuar me vitet e mëparshme, shkruan Enigma.
Shqipëria ka grumbulluar 48 pikë nga 100, duke treguar mangësi serioze në disa prej faktorëve kryesorë të analizuar nga raporti. Korrupsioni identifikohet si problemi më i madh, me vendin që, nëse do të vlerësohej veçmas për këtë çështje, do të zinte pozitën e 107-të, për shkak të praktikave të ryshfetit dhe shpërdorimit të fondeve publike.
Megjithatë, përparime janë vërejtur në garantimin e rendit dhe sigurisë, ku Shqipëria pozicionohet në vendin e 54-t. Në renditjen rajonale, ajo qëndron në fund të tabelës bashkë me Serbinë, ndërsa Mali i Zi dhe Kosova kanë shënuar progres të dukshëm.
Raporti gjithashtu thekson se sundimi i ligjit është dobësuar në shumë vende të botës, për shkak të politikave autoritare të ndjekura gjatë këtij viti.