Policia sqaron rrethanat e incidentit në Veri, mohon se ka keqtrajtuar një qytetar

Policia sqaron rrethanat e incidentit në Veri, mohon se ka keqtrajtuar një qytetar

Policia e Kosovës, ka njoftuar se sot rreth orës 02:35, njësia policore e cila ka qenë me detyrë zyrtare tek ura qendrore afër sheshit “Car Llazar”, ka hasur në personin (M.S.), i cili tentonte të dëmtojë gjëra dhe pajisje të ndryshme, të cilat ishin të rrethuara me rrjetë (mbyllëse), e të cilat ishin pronë e një dyqani.

Sipas policisë, personi i dyshuar papritmas ka dëmtuar rrjetën dhe duke kaluar mbi rrjetë, ka hyrë në pronë private duke dëmtuar gjera të ndryshme.

Zyrtarët policorë fillimisht kanë kërkuar që personi të ndalojë veprimet e tij, por i njëjti, duke mos iu bindur urdhrave të zyrtarëve policorë, ka filluar të përdorë shprehje të ndryshme dhe të ofendojë zyrtarët policorë në gjuhën serbe.

“Edhe përkundër tentimeve të vazhdueshme të zyrtarëve policorë që të njëjtin ta ndalojnë së vepruari dhe së fyeri, i njëjti nuk ka ndaluar dhe nuk iu është bindur urdhrave të ligjshëm policorë, andaj zyrtarë janë detyruar që të njëjtin ta arrestojnë dhe ta shoqërojnë në stacion policor.

I njëjti dyshohej se ka qenë nën ndikim të alkoolit, ku është provuar t’i bëhet alkool- testi, por që ka refuzuar” thuhet në njoftim.

Ndaj të dyshuarit, sipas procedurave të parapara ligjore, policia ka shqiptuar një kundërvajtje për vandalizëm dhe më pas është liruar.

Sipas detyrës zyrtare, Policia e Kosovës ka njoftuar edhe Inspektoratin Policor të Kosovës, për të hetuar pretendimet e ngritura se kinse zyrtarët policorë kanë keqtrajtuar personin në fjalë”.

“Policia e Kosovës, mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave të saja në interes të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike, mbrojtjen e pronës publike dhe private, si dhe trajtimin e të gjithë qytetarëve pa dallim sipas procedurave të parapara ligjore” deklaron policia.

Related Articles