Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka qëndruar në Amerikë.
Ai së fundmi ka publikuar një video në rrjete sociale nga përmbledhja e fjalimit të tij një ditë më parë në Nju Jork, teksa kërkoi votën e diasporës.
Duke shprehur ambicien që Shqipëria të anëtarësohet në BE brenda vitit 2030, Rama kërkoi mbështetjen e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, të cilët pritet të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
“Shqipëria ka bërë progres të jashtëzakonshëm, por është akoma një progres në rrezik, nëse të gjithë së bashku nuk e shtyjmë përpara në këtë kilometër të fundit për ta bërë atë anëtare në Bashkimin Europian.
Një nga arsyet e suksesit tuaj mesa kam kuptuar unë, është që shqiptarët këtu kanë ndihmuar shqiptarët, që kush ka ardhur para, kanë ndihmuar ata që kanë ardhur më pas”, tha ai.
“Prandaj kam ardhur këtu, për t’ju kërkuar që ta vazhdojmë dhe ta përmbushim së bashku këtë mision të nisur një dekadë më parë, për ta ngjitur Shqipërinë në majën e 2030, duke e bërë të pakthyeshme rrugën e Europës dhe duke e bërë për shtetin tonë, flamurin tonë, atë që çdo shqiptar si ju, në Amerikë apo Europë ka bërë për veten e vetë, për familjen e vetë, për të ardhmen e fëmijëve të vetë, duke u bërë pjesë krenare, e pandashme e bashkësisë, që sot jeton dhe punon këtu në Amerikë apo matanë oqeanit, në Europë“, u shpreh Rama /Gazeta Enigma