Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se sot ka prezantuar sukseset e Kosovës në fushën e luftimit të krimit të organizuar në Ministerialin e BE-së për Punë të Brendshme dhe Drejtësi me shtetet e Ballkanit Perëndimor, raporton Gazeta “Enigma”.
“Në Ministerialin e BE-së për Punë të Brendshme dhe Drejtësi me shtetet e Ballkanit Perëndimor, që po mbahet nën organizimin e presidencës hungareze të Këshillit Evropian dhe Qeverisë së Malit të Zi, sot prezantova sukseset e Republikës së Kosovës në fushën e luftimit të të gjitha llojeve të krimit të organizuar, trafikimit të qenieve njerëzore, armëve dhe narkotikëve si dhe luftimin e migrimit të parregullt”, ka shkruar Sveçla.
Tutje ai ka theksuar se “falë përkushtimit të të gjitha institucioneve tona, vendi ynë sot prinë në shumë raporte ndërkombëtare në luftimin e këtyre dukurive si dhe nuk është më zonë rehatie si për grupe të ndryshme kriminale ashtu edhe për migrantë të parregullt”.
“Duke njohur faktin se këto fenomene cënojnë sigurinë e vendit tonë, rajonit por edhe më gjerë, konfirmova përkushtimin tonë për bashkëpunim të mëtejmë me të gjitha agjencitë e BE-së në mënyrë që së bashku të garantojmë stabilitet por edhe siguri për vendet tona dhe jo vetëm”. /Gazeta Enigma/