Mbrëmë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në pritjen e organizuar nga ambasada turke në Kosovë për shënimin e 101-vjetorit të shpalljes së Republikës së Turqisë.
Gjatë këtij eventi, ai uroi popullin turk për këtë ditë të veçantë, duke shprehur gjithashtu nderimin për të rënët në sulmin terrorist të javës së kaluar në selinë e TUSAŞ në Ankara, shkruan Gazeta Enigma.
“Sot ne nderojmë këta pesë martirë dhe Republikën për të cilën ata ranë, teksa i shërbenin asaj,” theksoi Kryeministri Kurti.
Në vijim të fjalës së tij, ai nënvizoi bashkëpunimin e vazhdueshëm dypalësh gjatë katër viteve të fundit, duke veçuar ato në fushën e ekonomisë, mbrojtjes dhe sigurisë.
“Gjatë vizitës sime të fundit në vendin tuaj në qershor, pata kënaqësinë të vizitoj kompaninë e njohur Baykar Technologies, me Heluk dhe Selçuk Bayraktar, të njohur në mbarë botën për prodhimin e dronëve Bayraktar TB2, të cilët tani janë pjesë thelbësore e arsenalit mbrojtës të Kosovës. Krahasuar me periudhën 2018-2020, Kosova ka rritur investimet e saj në blerjet e armëve në vitet 2021-2023 nga 4 milionë në 239 milionë euro. Republika e Turqisë është një anëtare shumë e vlefshme dhe e fuqishme e NATO-s. Ne duam t’i bashkohemi aleancës euroatlantike jo vetëm për të përfituar, por edhe për të kontribuar – Kosova tashmë ka tejkaluar ndarjen buxhetore prej 2% të PBV-së për mbrojtjen e saj, duke përmbushur kriteret e NATO-s të vendosura në Samitin e saj në Uells dhjetë vjet më parë.” u shpreh Kurti.
Ai shtoi se në kuadër të vizitës këtë vit në Turqi, qëllimi kryesor ishte edhe hapja e Forumit të parë të Biznesit Kosovë–Turqi, të mbajtur në Stamboll më 3 qershor, gjersa shkëmbimi vjetor tregtar me Turqinë po rritet duke tejkaluar gati një miliard euro.
“Siç e kam theksuar në Stamboll, nuk ka pasur kurrë kohë më të mirë se tani që kompanitë turke të përfitojnë nga potenciali investues në Kosovë. Kjo vlen veçanërisht në tre fusha specifike. E para është bujqësia dhe përpunimi i ushqimit; e dyta është prodhimi, pajisjet elektrike, metali, plastika dhe druri; dhe e treta është shërbimet e jashtme të biznesit të mundësuar nga sektori i IT, zhvillimi i softuerit, kontabiliteti digjital dhe marketingu digjital”. Nënvizoi se në raportin e ri të këtij gushti nga fDi Intelligence, Kosova është vlerësuar si një destinacion investimi, duke e renditur atë në vendin e dytë ndër ekonomitë e reja dhe në zhvillim të Evropës, dhe të pestën në të gjithë botën, për tërheqjen e nivelit më të lartë të investimeve të huaja direkte në raport me PBV-në.
“Këtu në Kosovë, ku rritja ekonomike dhe progresi demokratik, avancimi social dhe stabiliteti institucional të gjitha vazhdojnë të ecin krah njëra tjetrës, ne jemi shumë të lumtur të shërbejmë si konfirmim për tezën e profesor Acemoglu”, përfundoi kryeministri Kurti, duke ritheksuar dhe traditën dhe historinë e marrëdhënieve shqiptaro-turke./GazetaEnigma/