Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se Raporti i Bashkimit Evropian për Kosovën për vitin 2024, është raporti “më negativ” që ka marrë vendi ndonjëherë.
Krasniqi tha se mesazhet kryesore që dalin prej tij janë të qarta: “Kosova mbetet nën sanksione dhe Kosova është duke u keq-qeverisur”.
“Kosova është duke ecur prapa në të drejtat dhe liritë e njeriut, lirinë e shprehjes dhe të mediave, si dhe në drejtësi! Tri shtylla themelore mbi të cilat ndërtohet dhe funksion shteti demokratik dhe zhvillimor, janë në stagnim apo regres”, shkroi Krasniqi në një postim në Facebook.
“Tri fusha për të cilët është përgjegjëse e vetme Qeveria e Republikës së Kosovës, e për të cilët Partia Demokratike e Kosovës e ka ngritur zërin vazhdimisht gjatë këtyre katër viteve”.
Tutje i pari i PDK-së tha se “dështimet e Qeverisë së Kosovës, të paraqitura në këtë raport, nuk janë vetëm pasojë e jo-kompetencës dhe paaftësisë së tyre, por janë veprime të qëllimshme, të ndërmarra me vetëdije nga Kryeministri dhe vartësit e tij, si mjete për ruajtjen e pushtetit”.
“Ky është një sabotim i zhvillimit dhe integrimit të vendit”.
“Raporti është shqetësues dhe alaramues, e të cilit nuk i gëzohet askush”, përfundoi Krasniqi.