Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit të tij dyditor në Zvicër, mori pjesë në një adresim dhe diskutim organizuar nga Shoqëria zvicerane për Politikë të Jashtme, ku bashkëbisedoi me redaktorin për politikë të jashtme të NZZ, Andreas Ernst.
Në këtë ngjarje, Kurti trajtoi marrëdhëniet me Serbinë dhe procesin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, shkruan Gazeta Enigma.
Ai theksoi refuzimin e Serbisë për të nënshkruar Marrëveshjen e Dakorduar Bazike dhe Aneksin e saj, duke përmendur disa nga shkeljet e vazhdueshme nga ana e Serbisë, që kulmuan me letrën e ish-kryeministres Ana Bërnabiq.
Përderisa elita e saj autoritare vazhdon të propagandojë dezinformata, të mobilizojë trupa përgjatë kufirit tonë dhe të refuzojë të ndjekë penalisht terroristët që vranë rreshterin tonë të policisë një vit më parë në Basnjkë të Zveçanit, Serbia gjithmonë do të përbëjë një rrezik të madh për sigurinë jo vetëm të Kosovës, por edhe të vendeve të tjera fqinje që i pengojnë projektit të “Serbisë së Madhe”, që tani e quajnë “bota serbe”, përkatësisht Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina po ngacmohen përveç Kosovës”, ka theksuar Kurti në fjalimin e tij.
Kurti theksoi se Serbia përbën një rrezik të vazhdueshëm për Kosovën, duke e lidhur këtë me propagandën e dezinformatave nga elita autoritare serbe, mobilizimin e trupave përgjatë kufirit dhe refuzimin për të ndjekur penalisht ata që kishin kryer krime.
Ai nënvizoi se këto veprime paraqesin rrezik jo vetëm për Kosovën, por edhe për vendet e tjera fqinje.
Ai gjithashtu përmendi ndikimin e Rusisë dhe Kinës në rajon, duke theksuar se Rusia shfrytëzon lidhjet historike dhe kulturore për të ushtruar pushtet, ndërsa Kina përdor investime dhe kredi për të forcuar influencën e saj. Sipas Kurtit, këto ndikime destabilizojnë rajonin dhe pengojnë përparimin demokratik.
Për më tepër, ai theksoi se është thelbësore që Kosova dhe Ballkani Perëndimor të mbeten të ankoruar në bashkësinë europiane të vlerave.
Rusia por edhe Kina kanë zgjeruar ndikimin e tyre në rajon, si ekonomikisht ashtu edhe politikisht. Rusia përdor lidhjet historike dhe kulturore për të ushtruar fuqinë e saj, duke i bërë thirrje shpirtërores së thellë të popullit serb, i cili është i lidhur ngushtë me Kishën Ortodokse Ruse, ndërsa Kina përdor investime dhe kredi për të forcuar ndikimin e saj. Këto ndikime destabilizojnë rajonin dhe krijojnë një pengesë të fortë kundër përparimit demokratik”, ka deklaruar ai./GazetaEnigma/