Disa serbë në Kosovë, kanë mbajtur një protestë në Mitrovicën Veriore si shprehje të tyre “sulme të shpeshta që po iu bëhen serbëve”.
Megjithatë, protesta më shumë ka pasur të bëjë me arrestimin e Risto Jovanoviçit nga policia e Kosovës gjatë festës së Vidovdanit, pasi ishte konfrontuar me policinë.
Mediat serbe raportojnë se në protestë kanë marrë pjesë dhjetëra qytetarë, ndërsa i tërë organizimi ka qenë i monitoruar nga Policia e Kosovës.
Por, ndryshe nga tubimi që u mbajt para pak ditësh në Graçanicë, në protestën e organizuar në Mitrovicën Veriore, nuk ka pasur slogane apo posterë.
Pjesëmarrësit ishin mbledhur fillimisht tek statuja e “Princit Lazar” në qendër të qytetit duke vazhduar me marshim drejt urës kryesore mbi lumin Ibër, duke ekspozuar flamurin serb.
Pas këtij organizimi qëndron iniciatori i protestës, Aleksandër Arsenijeviç, i cili ka theksuar se “kjo nuk ka të bëjë me një incident të izoluar, por ishte organizuar si një protestë kundër të gjitha incidenteve që kanë ndodhur që nga fillimi i vitit me popullsinë serbe në Kosovë”.
Iniciatori i protestës kishte një kërkesë drejtuar institucioneve ndërkombëtare.
“Ftoj njerëz të fuqishëm në Kosovë që gjëra të tilla nuk ndodhin më, që të mos i ndalojnë njerëzit të hyjnë në Kosovë për të vizituar të afërmit dhe vendet e tyre të shenjta, sepse ato janë gjithçka për ne”, tha ai për Drustvo.
“Nacionalizimi shqiptar ka marrë hov tani”, përfundoi Arsenijeviç. Ndryshe, ditë më parë qindra serbë ishin mbledhur për të festuar “Vidovdanin” në Gazimestan të Obiliqit, një festë serbe që festohet më 28 qershor, në kujtim të Betejës së Kosovës të zhvilluar në vitin 1389.