Hamza takon bizneset dhe punëtorët e sektorit privat

Hamza takon bizneset dhe punëtorët e sektorit privat

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka qëndruar sot në Prizren, ku ka realizuar një vizitë të rëndësishme për të takuar përfaqësuesit e bizneseve të kësaj komune dhe për të diskutuar me punëtorët e sektorit privat.

Gjatë kësaj vizite, Hamza ka theksuar angazhimin e tij për mbështetje të mëtejshme për zhvillimin ekonomik, krijimin e mundësive të reja për bizneset dhe përmirësimin e kushteve të punës për qytetarët, shkruan Gazeta Enigma.

Aty ai ka thënë se në qeverisjen e tij do të ketë më pak taksa për biznese, në mënyrë që të ketë më shumë të ardhura për punëtorët, njoftojnë nga PDK-ja.

“Ne kemi një program të mirë për ekonomi dhe fokusi im kryesor është zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik. Kemi përgatitur një pako të masave për sektorin privat. Ende në Kosovë vazhdon pagesa e TVSH-së në kufi. Është një ngarkesë për biznesin sepse e detyron bizneset të paguajë tatimin para se ta shesin mallin apo produktin. Prandaj, në ditët e para, në fillim të punës do ta bëjmë reformën e pagesës së TVSH-së nga kufiri në brendi. Bizneset e vogla deri në 10 mijë euro nuk do të paguajnë tatim fare. Ato me qarkullim deri në 30 mijë do ta paguajnë vetëm tatimin në fitim real”, ka deklaruar Hamza në takim me punëtorët e një qumështoreje në Prizren.

Kandidati i PDK–së për kryeministër ka shtuar po ashtu se kostoja e jetesës është ngritur shumë në Kosovë, prandaj prioriteti i tij do të jetë përmirësimi i mirëqenies së qytetarëve.

Ai ka takuar edhe përfaqësuesit e bizneseve me të cilët ka diskutuar për programin e tij ekonomik dhe lehtësirat në të bërit biznes në vend, e po ashtu u premtoi se shqetësimin e kamotshëm të bizneseve, praktikën e pagesës së TVSH-së në kufi, do ta ndryshojë gjatë qeverisjes së tij./Gazeta Enigma/

Related Articles