Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shpërndarë në profilin e tij në Facebook pamje nga një nga depot ku janë ruajtur furnizimet e fundit me armatim për Ushtrinë e Kosovës.
Ky veprim vjen në kuadër të forcimit të kapaciteteve mbrojtëse të shtetit, pas përpjekjeve për modernizimin dhe rritjen e gatishmërisë ushtarake, shkruan Gazeta Enigma.
Publikimi i pamjeve thekson angazhimin e qeverisë për të siguruar mjete të nevojshme për forcën e armatosur të Kosovës.
Kreu i ekzekutivit tha se ky armatim modern është në kuadër të blerjeve dhe furnizimeve të vazhdueshme që janë bërë për ushtrinë e Kosovës.
Sipas Kurtit, kjo është vetëm një pjesë fare e vogël e sasisë më të madhe të armatimit të këmbësorisë që ndonjëherë është blerë.
“Mbrëmë së bashku me Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci vizituam njërën nga depot ku janë vendosur furnizimet e fundit me armatim për ushtrinë tonë.Ky armatim modern është në kuadër të blerjeve dhe furnizimeve të vazhdueshme që jemi duke i bërë për forcën tonë dhe është vetëm një pjesë fare e vogël e sasisë më të madhe të armatimit të këmbësorisë që ndonjëherë kemi marrë”, u shpreh kryeministri.
“Ngritja e kapaciteteve tona ushtarake ka qenë dhe do të jetë gjithnjë në shërbim të mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit tonë territorial dhe të ruajtjes së paqes dhe sigurisë”, ka shkruar Kurti./GazetaEnigma/