Ardian Nuhiu është shfaqur në konferencën për media para sfidës të cilën Gjilani e zhvillon në udhëtim te Feronikeli ’74.
Tekniku i kuqebardhëve ka folur për kërkesën e tij drejtuar klubit për ta rishqyrtuar pozicionin e tij pas rezultateve jo të pritura.
“Mbështetja nga drejtuesit e klubit, si dhe mesazhi nga futbollistët se jemi në rrugën e duhur dhe është çështje kohe ardhja e rezultateve. Unë kam patur besim dhe vazhdoj të kem te ky ekip, në asnjë moment nuk e kam humbur. Megjithatë, ka qenë një reflektim moral dhe etik për rezultatet e fundit, por drejtuesit e klubit panë më lartë dhe ofruan mbështetje të plotë. Është gjë jashtëzakonisht e bukur kur ju si trajner ndjeni mbështetje maksimale se të gjithë të duan në skuadër, qoftë nga drejtuesit, gjithë atyre që e rrethojnë skuadrën dhe padyshim futbollistët të cilët besojnë në punën dhe vizionin se si punojmë”, potencoi Nuhiu.
Kujtojmë që Gjilani ndodhet në pjesën e poshtme të klasifikimit duke mbetur prapa me pikë me kryesuesit.
/Gazeta Enigma/