Halil Çadraku, dëshmitar në gjykatën e Hagës, deklaroi gjatë dëshmisë së tij se shumë dokumente të paraqitura ndaj tij përmbajnë siglën e MUP-it të Serbisë.
“…Në mesin e këtyre dokumenteve që më janë treguar mua, shumë dokumente kanë siglën e MUP-it të Serbisë,” theksoi Çadraku.
Ai bëri këtë deklarim kur iu prezantua një dokument që përmbante shkrim dore, të cilin ai tha se nuk e kishte parë kurrë më parë. “Është e vërtetë se këtë dokument të plotësuar me shkrim dore poshtë, unë nuk e kam parë asnjëherë deri javën e kaluar kur mu është treguar nga Prokuroria,” shtoi dëshmitari.
Çadraku përmendi gjithashtu se nuk e kujtonte nënshkrimin e Tahir Sinanit në dokument, por lexoi se ai ishte nënshkruar nga Sinani. Ai vuri në dyshim autenticitetin e këtij dokumenti, duke përmendur një tjetër të ngjashëm, me datë të ndryshme.
“Ky dokument mund të jetë edhe i falsifikuar… është e palogjikshme sepse të njëjtin e kam shkruar një ditë më herët. Kështu që kam dyshime për këtë,” tha ai, duke përmendur faktin se dokumentet mund të jenë modifikuar pas arrestimit të tij në vitin 2001 në Prizren.
Deklaratat për Kadri Veselin dhe funksionimin e shërbimeve
Çadraku përmendi gjithashtu Kadri Veselin, duke thënë se e kishte parë më 2 prill 1999, datë kur kishte përfunduar shërbimin e tij në Zbulim-Kundërzbulim.
Ai tha se Veseli ishte emëruar drejtor i Shërbimit Informativ në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës.
Ai mohoi të ketë marrë pjesë në hetimin e personave të cilët cilësoheshin si bashkëpunëtorë apo të kishte kërkuar hetime të tilla.
“Nga pjesa ime, unë kurrë nuk e kam pa Kadri Veselin që të flasë për mua me mua. Domethënë, nuk ka qenë Kadri Veseli ai që më ka përzgjedh ose mua nuk më ka thënë Drini diçka më tutje përpos që ai personalisht më ka përzgjedhur, duke u bazuar në fjalët e shumë ushtarëve aty përreth që më njihnin gjatë shkuarjeve e ardhjeve të mija në Shqipëri e Kosovë”, tha Çadraku.
Dëshmia për Ferat Shalën dhe Ilmi Reçicën
Sa i përket Ferat Shalës dhe Ilmi Reçicës, Çadraku tha se i kishte njohur pas luftës dhe nuk kishte informacion për aktivitetet e tyre gjatë kohës së luftës.
Ai kishte dëgjuar se ata kishin qenë pjesë e strukturave të G2-shëve në Zonën e Drenicës dhe të Nerodimës.
Dëshmia e Çadrakut pritet të jetë një element kyç në procesin që po zhvillohet në Hagë, veçanërisht për çështjen e autenticitetit të dokumenteve dhe ndikimit të shërbimeve të huaja në to.