Kurti nënshkruan vendimin për hapjen e fabrikës së prodhimit të municionit në Kosovë

Kurti nënshkruan vendimin për hapjen e fabrikës së prodhimit të municionit në Kosovë

Kryeministri Albin Kurti njoftoi në mbledhjen e sotme të Qeverisë se ka nënshkruar një “vendim të rëndësishëm” para se të fillonte mbledhja.

Ai theksoi themelimin e Komisionit Ndërministror, i cili ka për qëllim vlerësimin dhe nisjen e procedurave dhe negociatave për hapjen e një fabrike për prodhimin e municionit dhe një laboratori për dizajnimin e fluturakeve pa pilot në Kosovë, shkruan Gazeta Enigma.

Kurti tha se ky vendim vjen në të njëjtën ditë në Ditën e Forcës.

“Këtë ditë të rëndësishme për ushtrinë tonë po e shënojmë me një vendim të rëndësishëm që porsa e nënshkrova para se të vij në mbledhje dhe me një hap të domosdoshëm, besojmë, për të garantuar zhvillimin e qëndrueshëm të saj. Do të themelojmë Komisionin Ndërministror për qëllim të vlerësimit dhe nisjes së procedurave dhe negociatave lidhur me hapjen e fabrikës për prodhimin e municionit dhe për laborator mbi dizajnimin e fluturakeve pa pilot në Republikën e Kosovës. Një ushtri që për një kohë kaq të shkurtër është armatosur kaq shumë si kjo e jona ka nevojë për ta siguruar e garantuar operacionalitetin e plotë dhe qëndrueshmërinë tërësore. Andaj, me sot hedhim hapat tonë të parë për ngritjen e industrisë ushtarake”.

Kurti tha se Qeveria e tij “ka treguar se mbrojtja ka qenë ndër prioritetet tona kryesore”.

“Kjo është dëshmuar në vazhdimësi si me numrin e ushtarëve që është dyfishuar, si me buxhetin për Ministrinë e Mbrojtjes që është trefishuar si me trajnimet jashtë vendit të oficerëve dhe ushtarakëve tonë që është katërfishuar, si me investime në armatim që janë shumëfishuar”./GazetaEnigma/

Related Articles