Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar vendin ku ka ndodhur shpërthimi në kanalin e sistemit Ibër-Lepenc, në fshatin Varagë të Zubin Potokut. Gjatë vizitës, ai ka qenë i shoqëruar nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.
Të dy kanë inspektuar situatën dhe kanë diskutuar mbi masat për sanimin e dëmit dhe përmirësimin e sigurisë në zonën e prekur.
“Policia ka kryer bastisje, ka edhe arrestime, dëshmi e prova materiale dhe të gjithë këta kriminelë e terroristë do të përballen me drejtësinë, me fuqinë e ligjit të drejtë të Republikës demokratike e të pavarur të Kosovës”, ka thënë Kurti nga vendi i ngjarjes, në një deklaratë për media.
Pas shpërthimit, kryeministri Kurti u shpreh se shteti i Kosovës është i vendosur dhe i përgatitur për të mbrojtur qytetarët dhe infrastrukturën kritike.
Ai theksoi angazhimin e institucioneve për të siguruar stabilitetin dhe për të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për parandalimin e incidenteve të ngjashme në të ardhmen.
Kryeministri Kurti, pas shpërthimit në kanalin e ujit Ibër-Lepenc, në Zubin Potok, ka thënë se atje po bëhet një punë e jashtëzakonshme dhe përgatitje e lartë e institucioneve tona, të cilat në kohë rekord sanuan në masë të madhe dëmin e shkaktuar atje./GazetaEnigma/