Me 62 vota për, në Kuvendin e Republikës së Kosovës është miratuar edhe në lexim të dytë Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Nuk ka pasur asnjë votë kundër dhe abstenim.
Ky projektligj u miratua në lexim të parë sot me 60 vota për, një abstenim dhe asnjë kundër.
Më 26 qershor të këtij viti, Gjykata Kushtetuese shpalli të pavlefshëm Ligjin për byronë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, pasi gjeti se katër nene të tij ishin në kundërshtim me Kushtetutën.
Në ligjin e shpallur të pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese, parashihej që të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë mund të ishin subjekt i verifikimit të pasurisë nëse do të ekzistonin dyshime se ajo ishte fituar në mënyrë të kundërligjshme.
Përveç zyrtarëve, subjekt i verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme parashihej të ishin edhe anëtarët e familjes së tyre apo palët e treta, që nënkupton personat te të cilët mund të ketë pasur dyshime se ishte bartur pasuria e zyrtarëve publikë.
Kushtetuesja tha se procedura e verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme është e pavarur nga procedura penale, “standardi i të provuarit nuk është ai penal i ‘dyshimit të bazuar’, por ai civil i ‘vlerësimit të gjasave’ dhe sipas të cilit, pasuria cilësohet e pajustifikueshme, nëse gjykata bazuar në prova ‘beson që një gjë ka më shumë mundësi të jetë apo të ketë ndodhur se sa jo’”.