Abdixhiku: Vizioni ynë s’mund të realizohet pa përbashkimin në Kosovë e mërgatë

Abdixhiku: Vizioni ynë s’mund të realizohet pa përbashkimin në Kosovë e mërgatë

Kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka thënë se “Turneu i Ndryshimit’ po vazhdon ta dëshmojë momentumin e kësaj partie brenda dhe jashtë vendit.

Abdixhiku tha se këtë të shtune i takoi bashkatdhetarët në Vjenë, me pjesëmarrje, sipas tij, mbresëlënëse dhe entuziazëm të flaktë që e reflekton dashurinë dhe përkushtimin e tyre për Kosovën.

“Mbrëmje si kjo janë dëshmi se ndryshimi është afër, dhe se Lidhja jonë po forcohet çdo ditë e më shumë kudo që rreh zemra e atyre që ja duan të mirën atdheut”, shkroi Abdixhiku.

“Vizioni ynë për një Kosovë të zhvilluar e të drejtë ku rinia i jetëson ëndrrat dhe e ndërton të ardhmen, ku çdo profesionist ndjehet i përmbushur, dhe ku çdo familje e çdo qytetar e jeton jetën me mirëqenie e dinjitet, nuk mund të realizohet pa përbashkimin tonë të madh në Kosovë e mërgatë”, shtoi i pari i LDK-së.

Tutje, Abdixhiku tha se populli i Kosovës është i vogël për të përjetuar sipas tij, “me kaq urrejtje, ndarje e përçarje”.

“Jemi vend me shumë mundësi për të bërë të ardhmen tonë siç e meritojmë! Të barabartë mes kombeve evropiane! Do ta bëjmë”, u shpreh në fund Abdixhiku.

Related Articles