Gjatë pasdites të së dielës, është raportuar për të shtëna me armë në një fshat të Prishtinës.
Konkretisht në fshatin Mramor të kryeqyetit.
Lajmin për Gazeta Engima e ka konfirmuar edhe zëdhënjësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Ahmeti ka thënë se të dyshuarit kanë arritur të arratisen pavarësisht përpjekjevetë policisë për t’i ndaluar ata.
Sipas Ahmetit, të dyshuarit kanë vënë në rrezik edhe jetën e zyrtarëve policor.
Rasti është duke u hetuar.
“Prishtinë 15 dhjetor 2024 – Rreth orës 17:30 është pranuar informata për gjuajtje me armë zjarri në fshatin Mramor të komunës së Prishtinës.
Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, me ç ‘rast ka identifikuar një veturë të dyshuar e cila përkundër sinjalizimit të policisë për tu ndalur në pikë kontrolli e njëjta ka refuzuar duke vozitur me shpejtësi të madhe dhe duke manovruar rrezikshëm, kësisoj duke vënë para rrezikut të drejtpërdrejtë zyrtaret policor.
Duke parë rrethanat e ngjarjes policia me shpejtësi ka organizuar edhe një tjetër pikë kontrolli me qëllim ndalimin e veturës së dyshuar porse vetura sërish nuk është ndaluar dhe me manovrime të rrezikshme ka bërë përpjekje të qëllimshme për të goditur zyrtarët policor.
Për të shmangur rrezikun e menjëhershëm dhe të drejtpërdrejtë për jetën, zyrtarët policor janë detyruar të përdorin armën e zjarrit. Aktualisht vetura e dyshuar nuk është ndaluar si dhe personat e dyshuar tani për tani janë në arrati”, tha Ahmeti për Gazetën Enigma.