KFOR-i ka hedhur posht pretendimet për ndalimin e zyrtarëve të institucioneve të Kosovës në Leposaviq.
Madje këto pretendime i ka cilësuar si të pabazuara.
Në një reagim, KFOR, garanton transparencë dhe angazhim për një mjedis të sigurt sipas mandatit të saj në territorin e Republikës së Kosovës.
”Në përgjigje të akuzave që qarkullojnë në media se KFOR-i ka “lista të zeza” që ndalojnë disa zyrtarë të institucioneve të Kosovës të hyjnë në Komunën e Leposaviqit, KFOR-i deklaron se këto pretendime janë të pabazuara dhe i hedh poshtë fuqimisht këto akuza.
KFOR-i u bën thirrje të gjithë aktorëve që të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet e njëanshme që mund të krijojnë tensione të panevojshme dhe të ndikojnë negativisht në stabilitetin rajonal.
KFOR-i nuk ndërhyn në lirinë e lëvizjes së individëve në të gjithë Kosovën. Gjithashtu, KFOR-i mban komunikim të rregullt me të gjithë partnerët kryesorë.
KFOR-i ruan standardet më të larta të transparencës në komunikimin e aktiviteteve të tij përmes kanaleve zyrtare të komunikimit të cilat janë të disponueshme për publikun”. /Gazeta Enigma