Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka premtuar se nëse bëhet kryeministër, do të rrisë numrin e policëve në Kosovë në 10 mijë. Ai theksoi se forcimi i Policisë së Kosovës mbetet një nga prioritetet kryesore të partisë së tij, shkruan Enigma.
Abdixhiku njoftoi se parashikohet rritja e numrit të policëve nga tetë mijë në 10 mijë, duke përfshirë edhe pensionimin para kohës të dy mijë policëve. Ai tha se ky proces do të realizohet brenda katër viteve.
“Një ndër fokuset kryesore të LDK-së mbetet forcimi i Policisë së Kosovës. Besojmë në policë të lagjeve, të komuniteteve që njohin rrethinën, që njohin banorët, që njohin bizneset e atij komuniteti e asaj lagjeje. Çdo lagje, çdo fshat, çdo komunitet duhet t’i ketë së paku dy policë të komunitetit të bashkësisë. Policimi në bashkësi do të thotë dhe numër më të madh të policëve në Kosovë, prandaj kemi paraparë rritjen e numrit të policëve nga tetë mijë në 10 mijë përfshirë edhe pensionimin e dy mijë policëve para kohës. Brenda katër viteve numri i policëve të Kosovës do të jetë 10 mijë sosh”, ka thënë Abdixhiku gjatë një tubimi.