Një ngjarje tragjike ka ndodhur të enjten në një shtëpi në Shtërpcë, ku një grua u gjet e vdekur dhe sipas informacioneve të para dyshohet se i dha fund jetës.
Viktima po dyshohet se bëri vetëvrasje pas një feste familjare, për motive dhe në rrethana akoma të paqarta.
Bëhet fjalë për një grua 34-vjeçare, e cila bazuar në dëshminë e familjes ka qenë në pritje të ëmbël, në muajin e katërt të shtatzënisë.
Vdekjen e saj e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes dhe trupi është tërhequr për t’u dërguar në IML për obduksion.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se e ndjera dyshohet se i dha fund jetës me armë zjarri, brenda shtëpisë së tyre.
Njësitë policore kanë kryer ekzaminimet e nevojshme, teksa akoma nuk dihet motivi që çoi viktimën drejt këtij akti të rëndë.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar hetimi për zbardhjen e këtij rasti mjaft të rëndë.