Gjatë ditës në pikën kufitare në Merdarë është paraqitur një autobus me targa vendore, të cilit pas kontrollit i janë selektuar për skanim disa valixhe.
Gjatë skanimit, sipas Doganës së Kosovës, është vërejtur se në njërën nga valixhet ndodhej një armë dhe 50 copë fishekë, transmeton Gazeta Enigma.
Pas verifikimeve të mëtejshme, është konstatuar dhe gjetur pronari i valixhes.
“Arma dhe fishekët janë konfiskuar menjëherë dhe janë dorëzuar pranë Policisë Kufitare për procedura të mëtejshme ligjore. Policia e Kosovës ka marrë përsipër trajtimin dhe hetimin e këtij rasti, në përputhje me ligjet në fuqi”, thuhet në njoftimin e doganës.
“Ftojmë qytetarët të bashkëpunojnë me organet kompetente dhe të raportojnë çdo veprim të dyshimtë, në mënyrë që të kontribuojmë së bashku për një mjedis më të sigurt”, apelon institucioni. /Gazeta Enigma