Shtetet e Bashkuara të Amerikës, OSBE dhe Gjermania kanë shprehur shqetësim dhe keqardhje për moscertifikimin e Listës Serbe nga KQZ për zgjedhjet e 9 shkurtit, raporton Gazeta “Enigma”.
Të hënën e 23 dhjetorit Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) nuk e ka certifikuar Listën Serbe, pas shqetësimeve të ngritura nga përfaqësues të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje se, kjo parti nuk e njeh shtetin e Kosovës, dhe atij nuk i referohet me emrin zyrtar, por si “Kosova dhe Metohia”.
“Shfrytëzoni mekanizmat institucionalë në fuqi, përkatësisht PZAP-në”
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë është shprehur e shqetësuar se ky veprim i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mund të dëmtojë zgjedhjet e lira.
“Jemi thellësisht të shqetësuar me veprimet e disa anëtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) për të moscertifikuar kandidatët e Listës Srpska. Veprimet e KQZ-së rreptësishtë duhet të kufizohen në zbatimin e standardeve dhe procedurave ligjore dhe çdo vendim për moskualifikimin e kandidatëve duhet të bazohet vetëm në zbatim të barabartë të ligjit. Procesi zgjedhor duhet të jetë transparent, i besueshëm dhe pa ndërhyrje politike”, thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA-së.
Në reagim thuhet se veprime të tilla dëmtojnë parimet themelore demokratike të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, meqenëse ia çelin derën ndikimit subjektiv politik mbi procesin zgjedhor.
“Ne jemi të shqetësuar nga përfshirja e hapur e kritereve të motivuara politikisht në procesin e certifikimit të kandidatëve në KQZ. Veprime të tilla dëmtojnë parimet themelore demokratike të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, meqenëse ia çelin derën ndikimit subjektiv politik mbi procesin zgjedhor”, thuhet tutje në reagim.
Po ashtu Ambasada e SHBA-së vlerëson se përgjegjësit duhet të mesin rreptësishtë vetëm në procedura ligjore, e jo në shqyrtime politike.
”KQZ-ja luan rol të rëndësishëm në mbikëqyrjen e zhvillimit të zgjedhjeve dhe për të siguruar që ligji zbatohet në mënyrë të drejtë dhe të paanshme. Përgjegjësitë e tij duhet të mbesin rreptësishtë vetëm në procedurat ligjore, e jo në shqyrtimet politike”, thuhet në reagim.
Ambasada Amerikane u ka bërë thirrje palëve që kanë probleme me proceset e KQZ-së që të shfrytëzojë mekanizmat institucionalë në fuqi, përkatësisht Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
“Të gjithë kandidatët që kualifikohen duhet të lejohen të garojnë në zgjedhje të lira dhe të ndershme në përputhje me ligjin kosovar. Është thelbësore që votuesit e jo organet politike, të vendosin se kush i përfaqëson ata”, është thënë në reagim.
OSBE i bënë thirrje KQZ-së ta ruajë integritetin e zgjedhjeve
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim me Evropë (OSBE) ka reaguar pas moscertifikimit të Listës Serbe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
OSBE e ka marrë me shqetësim moscertifikimin e Listës Serbe.
Në një reagim të kësaj organizate është thënë se procesi i certifikimit është një çështje procedurale që mbështet zgjedhjet demokratike dhe duhet të jetë pa konsiderata politike.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka luajtur një rol kyç në nxitjen e demokracisë dhe lirive politike në Kosovë për dekada, me mbështetjen e vazhdueshme të OSBE-së. Misioni vëren me shqetësim se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot nuk e ka certifikuar Listën Serbe”, është thënë në reagimin e OSBE-së.
“Procesi i certifikimit është një çështje procedurale që mbështet zgjedhjet demokratike dhe duhet të jetë pa konsiderata politike. Ne i bëjmë thirrje KQZ-së që të ruajë integritetin e procesit zgjedhor në Kosovë dhe të sigurojë që hapat e mëvonshëm të jenë gjithëpërfshirës dhe në përputhje me parimet demokratike”, thuhet tutje në reagim.
Reagon Rohde për moscertifikimin e Listës Serbe nga KQZ
Ambasador i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka komentuar moscertifikimin e Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit tha se ndan shqetësimin e shprehur nga SHBA dhe BE.
Ttutje Rohde ka theksuar se procesi i certifikimit nuk duhet të politizohet.
“Unë ndaj shqetësimet e BE-së dhe SHBA-së në lidhje me moscertifikimin e Listës Srpska. Zbatimi i barabartë i ligjit për të gjithë është thelbësor. Procesi i certifikimit është një procedurë rreptësishtë formale që nuk duhet të politizohet”, shkruan ambasadori në “X”. /Gazeta Enigma/