Hoti nga IKSHPK: Virusi HMPV s’mund të shndërrohet në pandemi

Hoti nga IKSHPK: Virusi HMPV s’mund të shndërrohet në pandemi

Faik Hoti nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka deklaruar se në disa shtete të botës ka shtim të rasteve me virusin metapneumovirus (HMPV), por sipas tij, Kosova nuk parashihet të jetë e rrezikuar.

Sipas Hotit, ky virus i prek më tepër fëmijët, por për kësi raste nuk ka nevojë për shtrim në spital pasi kalon brenda pak ditëve.

“Çdo fëmijë deri në ditëlindjen e tij të pestë mund të ndeshet me këtë virus. Është situatë që merret me kujdes, por jo me shqetësim pasi nuk duket se mund të ketë premisa të shndërrohet në një pandemi pasi për t’u bërë pandemi duhet një patogjen respirator i ri i pazbuluar”, ka thënë Hoti të mërkurën në KTV.

Ai ka theksuar se virusi HMPV manifestohet me shenja të gripit, e kjo sipas Hotit e bën të vështirë diagnostifikimin e tij.

“Nuk paraqet shqetësim serioz për popullatën, prek moshat e reja por i atakon edhe të vjetrat. Është me shenja të ngjashme si gripi, ethet, gripi e kolla. Është i trajtueshëm me terapi, por s’ka terapi të saktë”, u shpreh tutje ai.

Specialisti i shëndetit publik në IKSHPK ka deklaruar tutje se virusi metapneumovirus mund të shpërndahet nëpërmjet kontakteve me persona që dyshohet se janë të prekur, nëpërmjet spërklave dhe nëpërmjet qëndrimit në hapësira të mbyllura me njerëz.

“Sugjerojmë që të kenë kujdes e jo panik pasi parashikimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë janë se mund të ketë raste të shtuara, por nuk ekziston potenciali për pandemi…Parandalimi ka të bëjë me masa standarde të higjienës persona, me kujdes, me ndërgjegjësim”, ka shtuar ai.

Related Articles