Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka thënë se Ura e Badocit është “stabile”, por se testimi formal do të bëhet nesër.
I dyti i Infrastrukturës tha se këto raportime “po mundohen të ngjallin pasiguri te qytetarët me rastin e hapjes së urës së Badocit”.
“Ura e Badocit ështe projektuar e ndertuar me standardet më te larta të projektimit e ndertimit. Gjatë të gjitha fazave janë kryer inspektimet profesionale, përfshirë ketu atestet parakrake të materialeve, testimet të vazhdueshme të betonit e armaturës deri në finalizimin e saj”, shkroi Durmishi në një postim në Facebook.
“Prandaj me përgjegjësi të lartë profesionale deklaroj se Ura e Badocit është shumë stabile. Gjatë gjithë këtyre diteve aty kan kaluar shumë makineri me pesha të rënda pa asnjë problem për Urën, e këtë do ta dëshmojë edhe testimi formal që do të bëhet nesër”, u shpreh tutje ai. /Gazeta Enigma