Për më shumë se dy muaj e gjysmë është zvaritur procesi për dhënien e tenderit në segmentin Kizhnice – Bresalc, saktësisht tenderi M25.2, i cili kap vlerën prej 4,2 milionë euro me qëllimin e vetëm që fituesi të jetë “dosti” i Abdyl Imerit, Kryetar i Komisionit në vlerësimin e tenderëve në Ministrinë e Infrastrukturës, raporton Gazeta “Enigma”.
Bujar Shabani pronar i kompanisë “Bageri Company” është shpallur fitues i këtij tenderi, së bashku në koncersium me një kompani tjetër, ani pse çmimi ishte për qindra mijëra euro më i shtrenjtë si i kompanive të tjera të cilat ishin fituese në koncersium dhe kishin konkuruar.
Imeri si kryetar i Komisionit në vlerësimin e tenderëve në Ministrinë e Infrastrukturës kishte eliminuar padrejtësisht kompanitë e përfshira në koncersiumet konkuruese edhe pse kishin çmim më të lartë, duke lëshuar vendime qesharake për eliminim nga konkurenca.
“Enigma” mëson se këtyre kompanive u janë kërkuar dokumentacione shtesë për pranimin teknik të disa rrugëve të cilat ishin pranuar teknikisht nga vetë Ministria e Infrastrukturës, duke kërkuar dokumentacion shtesë për pranimin teknik nga kompanitë private.
Lidhja e Abdyl Imerit me familjen Shabani është qartë dhe dyshohet edhe për afera të tjera në të cilat ka qenë në komision mbikqyrës, për të cilat Gazeta “Enigma” do të raportoj gjatë ditëve në vijim.
Foto: Bujar dhe Valdrin Shabani pronar të kompanisë “Bageri Company” së bashku me Abdyl Imerin (Kryetar i Komisionit në vlerësimin e tenderëve në Ministrinë e Infrastrukturës).
Familja Shabani është e njohur për lidhjet e tyre edhe me zëvendësminsitrin Hysen Durmishi, pasi që vetëm gjatë ditës u njoftuan se kanë fituar tenderë me vlerë afër 7 milionë euro.
Ministria e Infrastrukturës më 26 dhjetor të 2024-ës ndau 2,9 milionë euro tender për konserciumin ekonomik ‘Dio Bes SH.P.K’ dhe ‘EUROKOS HOLDING SH.P.K’. Tenderi kishte të bënte me rehabilitimin dhe asfaltimin e rrugës rajonale Shipashnicë-Desivjocë-Tërstenë.
Pronar i ‘Dio Bes SH.P.K’ është Sokol Shabani, vëllai i Bujar Shabanit.
“Enigma” mëson se pas dhënies së këtyre tenderëve priten ankesa në OSHP dhe pritet të bëhet kallzim penal ndaj akterëve të përfshirë në këtë process nga Ministria e Infrastrukturës në Prokurorinë Speciale.
/Gazeta Enigma/