Komisioni i Vlerësimit për dhënien e tenderëve në Ministrinë e Infrastrukturës me në krye Abdyl Imeri ka bërë shkelje drastike në dhënien tenderit në segmentin Kizhnice – Bresalc, saktësisht tenderi M25.2, i cili kap vlerën prej 4,2 milionë euro me qëllimin e vetëm që fituesi të jetë “dosti” i tij Bujar Shabani, raporton Gazeta “Enigma”.
Gjatë çasjes së dokumentave të cilat janë bërë nga kompanitë e tjera tenderuese janë gjetur shkelje flagrante të cilat janë bërë nga komisioni me rastin e dhënies së tenderit, pasi që ndër të tjerash kanë gjetur se nga kriteri numër 7 tenderues në të cilën kërkohet nga Operatori Ekonomik të ketë të noterizuar marrëveshjen për prodhimin e betonit, asfaltit si dhe të gurthyesit, kompania fituese “NPSH Bageri” nuk e posedon këtë dokumentacion.
Gazeta “Enigma” ka siguruar edhe marrëveshjen e kompanisë “NPSH Bageri” dhe “STN Beton SHPK”, e cila nuk ka qenë e noterizuar (Dokument i cili është publik për kompanitë të cilat janë tenderuese).
Përveç këtij kriteri i cili është shkelur nga kryetari Abdyl Imeri me qëllimin e vetëm t’i rehatoj “dostat” me tenderë milionësh duke i shkaktuar humbje buxhetit të shtetit qindra e mijëra euro, janë gjetur edhe shkelje të tjera.
Në lidhje me dhënien e këtij tenderi i cili kap vlerën e 4,2 milionë eurove, kompanitë e tjera tenderuese kanë bërë kërkesë për rishqyrtim në Ministrinë e Infrastrukturës, ndërkohë nëse vendimi mbetet i njejtë, atëherë pritet që të vazhdohet me ankesa edhe në OSHP dhe pritet të ketë kallëzim penal nga kompanitë në Prokurorinë Speciale.
Gjithashtu mësohet se kompanitë do të kërkojnë edhe kompenzim nga gjykatet kompetente për humbjet e shkaktuara.
Lidhjet e Abdyl Imerit me familjen Shabani tashmë janë të njohura për opinionin, pasi që ditë më parë është raportuar për një tjetër tender të dhënë milionësh për “dostat” e tij, duke qenë se i njejti është person mbikqyrës në projektet të cilat janë punëkryes familja Shabani me kompanitë e tyre.
LEXO gjithashtu edhe: Për jarana mbi 7 milionë euro – Gazeta Enigma
Këto dokumentacione dhe të dhënë faktike vetëm se vërtetojnë atë të cilën kishte raportuar Gazeta “Enigma” ditë më parë në lidhje me “dostat” të cilat po shkelin në mënyrë skandaloze kriteret për tenderë, duke dëmtuar me këtë rast kompanitë e tjera ofertuese dhe duke dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës me qindra e mijra euro./Gazeta Enigma/