Trump fton edhe Behgjet Pacollin në inaugurim

Trump fton edhe Behgjet Pacollin në inaugurim

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të zgjedhur të Amerikës, Donald Trump.

Kështu ka njoftuar këshilltari i Pacollit, Jetlir Zyberaj me anë të një njoftimi në Facebook, ku thotë se ish-presidenti i Kosovës ka pranuar ftesë të veçantë për ceremoninë e inaugurimit më 20 janar.

“Me ftesë të veçantë të Presidentit Donald J. Trump, Presidenti Behgjet Pacolli do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të SHBA-së me 20 janar. Për Presidentin Pacolli, marrëdhënia midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka qenë gjithmonë me rëndësi të veçantë, dhe lidhja e tij shumëvjeçare me Presidentin Trump pasqyron këtë përkushtim. Presidenti Trump ka luajtur një rol kyç në avancimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës. Ai ishte presidenti i parë amerikan që i bëri thirrje Serbisë të njohë Kosovën përmes një marrëveshjeje të njohjes reciproke dhe gjithashtu mundësoi njohjen e Kosovës nga Izraeli. Presidenti Pacolli është i bindur se nën udhëheqjen e Presidentit Trump, Kosova do të vazhdojë të forcojë pozicionin e saj global, të tejkalojë izolimin ndërkombëtar aktual dhe të arrijë përparime të rëndësishme në rrugëtimin e saj drejt integrimit të plotë. Ky moment përfaqëson një mundësi të re për të thelluar partneritetin strategjik midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Zyberaj.

Trumpi pritet të betohet si presidenti i SHBA-së më 20 janar pasi doli fitues në zgjedhjet e 5 nëntorit të vitit të kaluar.

Ndërkaq për të qenë pjesë e këtij inaugurimi ftesë ka marrë edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. /Gazeta Enigma

Related Articles