Ministri i Mbretërisë së Bashkuar për Evropë, Stephen Doughty, ka thënë se trupat britanike të KFOR-it luajnë rol kyç në ruajtjen e një mjedisi të sigurt në Kosovë.
Ai i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në dialog.
Doughty u pyet në Parlamentin britanik të martën rreth progresit me marrëveshjen e sigurisë që Kosova ka nënshkruar me Mbretërinë e Bashkuar.
Doughty ka ritheksuar se Mbretëria e Bashkuar ka përgjegjësi dhe marrëdhënie historike me Kosovën.
“KFOR-i jep kontribut thelbësor për të siguruar mjedis të sigurt në Kosovë dhe sigurisht trupat e Mbretërisë së Bashkuar luajnë një rol kyç në të. Ne angazhohemi për së afërmi me partnerët tanë në Kosovë dhe në mbarë rajonin. Ne vazhdojmë t’i nxisim Kosovën dhe Serbinë që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Muajt e fundit kam folur me kryeministrin Kurti dhe me ministrin serb, Gjuriq”, ka thënë ai para deputetëve britanikë.