LVV premton investime milionëshe në Brezovicë

LVV premton investime milionëshe në Brezovicë

Një fshat në hyrje të Shtërpcës, komunë e banuar kryesisht me serbë, ka qenë ndalesa e kandidatit për kryeministër nga radhët e Vetëvendosjes, Albin Kurti, në ditën e katërt të fushatës.

Banorëve pjesëmarrës në tubim u premtoi ndërtimin e digës, investime milionëshe në Brezovicë e u foli për punët që tha se ka kryer në mandatin që po e përfundon.

Hapësirat e një gjellëtoreje në bodrum u shndërruan në një sallë të vogël takimesh për Lëvizjen Vetëvendosje.

Në Firajë të Shtërpcës, kandidati për kryeministër nga Vetëvendosje, Albin Kurti shkoi që qytetarëve të kësaj pjese t’ua kërkojë mbështetjen e votën për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Tubimin në këto hapësira në këtë fshat, Kurti e arsyetoi me mungesën e kushteve në Shtëpinë e Kulturës në qytet.

“Nëse mund të gjejmë vullnet të përbashkët me qeverisjen lokale, me Komunën e Shtërpcës këtu, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është e gatshme që më ta marrë mandatin e radhës të bëjë rinovimin e tërësishëm të Shtëpisë së Kulturës ashtu që qytetarëve të Shtërpcës pa dallim, serbë , shqiptarë e të tjerë, t’u ofrohen kushte të dinjitetshme për aktivitete kulturore, artistike”, tha Kurti.

Për Firajën premtoi ndërtimin e digës e për kompleksin Brezovica investime 500 milionë euro.  

Kurti tha se ne veprimet që tha se kanë ndërmarrë, është rritur besimi i qytetarëve e sidomos i serbëve në institucionet e Kosovës.

“Edhe qytetarët tanë të etnisë serbe sidomos këtu në komunën e Shtërpcës por madje edhe në veriun e Kosovës e kanë rritur besimin në qeverinë tonë. Ata po e kuptojnë se vetëm ne mund t`i mbrojnë nga bandat e Rashkës. Vetëm Qeveria e Republikës së Kosovë, me mu kryeministër me kolegët e mi ministra me këta deputetë e kandidatë për deputet mund t`i mbrojë edhe qytetarët serbë nga ato bandat kriminale të cilat financohen në Beograd, dirigjohen nga Beogradi e orkestrohen në Rashkë”, tha Kurti.

Pretenduesi për kryeministër pjesëmarrësve ua renditi edhe disa nga veprimet e ndërmarra në veri.

“Kemi shkatërruar 124 grupe kriminale, prej tyre 43 për krime ekonomike dhe korrupsion edhe 40 në luftimin e drogës. Janë arrestuar rreth 300 zyrtarë publikë s`po them që s`ka hala që s`duhet. I kemi konfiskuar katër tonë e gjysmë substanca narkotike. 37 rrugë ilegale i ka pasur Kosova rreth e rrotull, 29 prej tyre veç në veri të vendit.  Krejt i kemi mbyllur”, tha Kurti.

Pjesëmarrësit i luti që të dalin të votojnë në mënyrë që partia që drejton të arrijë synimin e vënë.

“Neve që na duhet me numëruar prej 0 deri në mbi 500 mijë kemi nevojë që ju, familjen, farefisin, miqtë, dashamirët, shokët, shoqet, kolegët që i keni, ata të asaj mëhallës së vjetër ku jeni kanë, këta në këtë vendin e ri të punës, t`i mobilizoni krejt edhe më datën 9 shkurt, në mbrëmje, kur të numërohen votat, ata komisionerët që rrinë aty dhe i numërojnë pasi të hapen kutitë me thanë: Vetëvendosje, Vetëvendosje, Vetëvendosje, Vetëvendosje…”, tha ai.

Pas Firajës së Shtërpcës, ditën e katërt të fushatës, Lëvizja Vetëvendosje e vazhdoi në Kaçanik e Han të Elezit.

Related Articles