Ish-pjesëtarët e UÇK-së, që aktualisht po mbahen të paraburgosur nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, do të kenë mundësi të marrin pjesë në procesin zgjedhor si votues.
Kjo është konfirmuar për Klankosova.tv nga Michael Doyle, zëdhënës i DhSK-së
“Janë marrë të gjitha masat që të paraburgosurit të ushtrojnë të drejtat e tyre qytetare si qytetarë të Kosovës për të votuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, ka thënë Doyle.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) dje njoftoi se është në kontakt me Dhomat e Specializuara për organizimin e votimit për ish-ushtarët e UÇK-së.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se procesi i votimit do të organizohet në përputhje me rregullat e KQZ-së.
“Mund t’iu konfirmoj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në kontakt me Dhomat e Specializuara për organizimin e votimit për shtetasit e Kosovës të cilët ndodhën në Hagë. Procesi i votimit do të organizohet në përputhje me rregullat e KQZ-së”, tha Elezi.
Zgjedhjet në Kosovë do të mbahen më 9 shkurt të këtij viti, ndërsa votimi me postë tashmë ka nisur.