Kontratat emergjente të nënshkruara nga institucionet kosovare gjatë vitit 2020 kanë shënuar një mori shkeljesh, kështu po konsiderojnë përfaqësues të shoqërisë civile, raporton Gazeta “Enigma”.
Diana Metushi-Krasniqi menaxhere e projekteve nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), tha në një prononcim për Ekonomia Online se gjatë monitorimit të këtyre kontratave kanë vërejtur fryrje të çmimeve.
Sipas saj, në kohën kur Kosova ka pasur më së shumti nevojë për materiale mbrojtëse ndaj Covid-19, institucionet kanë zvarritur kontratat.
“KDI-ja vazhdimisht gjatë viti 2020 ka monitoruar kontratat emergjente dhe publikimin e parë të kontratave emergjenteve që janë bërë gjatë periudhës mars-prill kanë tregu për fryerje tejet të mëdha të çmimeve të tregut për furnizimet me mjetet mbrojtëse ndaj pandemisë Covid-19”.
“Kemi vazhduar me monitorimet e mëtutjeshme, kemi identifikuar një mori shkeljesh në mënyrë të vazhdueshme, por edhe një qasje jo të drejtë prej institucioneve sa i përket furnizimeve emergjente. Ka pasur raste kur Kosova ka qenë në krizë për materiale mbrojtëse dhe teste për Covid, ndërsa procedura është zvarritur më muaj në proceset ankimore pa marrë trajtimin e duhur dhe duke i lënë qytetarët në mëshirën e fatit apo të shpenzimeve personale që është në kundërshtim me ligjin për menaxhimin e pandemisë, që shteti e ka për obligim të mbulojë të gjitha shpenzimet e pacientëve”.
Tutje ajo ka treguar një shembull konkret të një kontrate të nënshkruar nga ShSKUK-ja e cila shkelë specifikat dhe kushtet e veçanta të kontratës.
“Ne kemi gjetur që kontratat emergjente kanë qenë kontradiktore në mes vete. Ku në një rast ShKUK-ja lyp një produkt i cili nuk është pjesë e listës së barnave esenciale, ndërsa në anën tjetër e anulon tenderin për shkak se oferta i vjen me atë që ka kërkuar një muaj para e çka është më e dhimbshme që kur e merr me analizuar se çka është pranuar prej asaj kontrate emergjente e sheh që janë shkelë vet specifikat e kontratës, kushtet e veçanta të kontratës meqë ShSKUK ka pranuar një bar krejt tjetër prej asaj që ka porositë”, ka shtuar ajo.
Hulumtuesja nga KDI-ja poashtu ka bërë të ditur se gjatë vitit 2020, Kosova ka nënshkruar mbi 800 kontrata emergjente të cilat kapin vlerën e 65 milionë eurove.
I dhimbshëm sipas saj është fakti që nga këto kontrata vetëm 37 për qind kanë pasur të bëjnë me përpalljen e pandemisë.
“Në përgjithësi kemi bërë një analizë dhe kemi parë që në Kosovë gjatë vitit 2020 janë dhënë diku afër 800 kontrata me procedurë emergjente në vlerë të afër 65 milionë që është një vlerë mjaftë e madhe e buxhetit tonë. Ndërsa kur analizohet përmbajtja e këtyre prokurimeve emergjente e sheh që vetëm 37 përqind e tyre kanë në përballje me pandeminë, për mjete mbrojtëse, furnizim me barna ose për dezinfektim e pako emergjente ndërsa pjesa tjetër apo 63 për qind e tyre me 41 milionë e vlerës së shpenzuar kanë shkuar për furnizime të llojllojshme që shumica prej tyre kanë qenë të planifikuara për realizim të zakonshëm apo të rregullta-pa procedurë emergjente”.
Metushi-Krasniqi ka thënë se është shqetësuese që edhe sot kur situata është normalizuar, akoma procedohet me kontrata emergjente gjë që eliminon konkurrencën dhe rrit çmimin e shpenzimeve publike.
“Është shqetësuese që edhe sot i shohim shumë institucione sidomos nivelin komunal një kohë kur Qeveria veç ka marrë një vendim për lehtësimin e masave, pra nuk jemi në emergjenca ekstreme keqpërdoret ende procedura emergjente e cila eliminon konkurrencën, rrit çmimin e shpenzimeve publike dhe pastaj edhe rrezikon në menaxhimin e kontratës”.
Kurse hulumtuesi nga Iniciativa për Progres (INPO), Qëndrim Arifi ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online se institucionet tona duke ia faturuar urgjencën pandemisë, po nënshkruaj kontrata të shpejta, duke e cenuar kështu konkurrencën e lirë të tregut.
“Është e vërtetë që sidomos vitin e kaluar të gjitha autoritet kontraktuese janë përballur me situata jo të zakonshme dhe për pasojë e kësaj edhe Komisioni Rregullativ u ka bërë me dije autoriteteve që e kanë opsionin që t’i përdorin procedurat e negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë dhe për pasojë që këto procedura janë urgjente dhe rruga deri të nënshkrimi i kontratës është shumë më i shpejt”.
“Ligji thotë në mënyrë stikte që këto procedura duhet të përdorën vetëm në raste të urgjencave ekstreme, çka shohim sot e gjatë pandemisë shohim që është keqpërdorë kjo procedurë. Duke ia faturuar urgjencës me pandeminë vazhdojmë ende të shohim që autoritet vazhdojnë ta përdorin këtë procedurë. Kjo procedurë e minon konkurrencën e lirë të tregut”, është shprehur ai.
Poashtu Arifi ka thënë se nga monitorimi që bëjnë vazhdimit kanë ardhur në përfundim që sa herë procedohet me këto lloj kontrata është e sigurt që institucionet marrin me çmim më të shtrenjtë se ai i tregut.
“Procedura e negocimit pa publikim të njoftimit është procedurë në vete, ku qëndron cënueshmëri e konkurrencës është te fakti që këto kontrata mund të diskutosh me vetëm një operator ekonomik. Ndërsa në procedurë të hapur mund të aplikojnë pakufi operatorë ekonomikë dhe sigurisht që çmimi dhe kushtet tjera janë shumë më të volitshme”
“Nga monitorimi sistematik që organizata jonë po bën në fushën e prokurimit publik shohim që sa herë që përdoret kjo procedurë autoritetet një gjë e kanë të sigurt që do të marrin çmim më të shtrenjtë se çmimi i tregut”, ka përfunduar ai.