Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, të hënën ka filluar dëshminë dëshmitari i 114-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Hansjoerg Strohmeyer.
Ai mban kodin W02183 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Pyetjet për këtë dëshmitar i ka filluar prokurorja Vega Iodice, e cila tha se Strohmeyer ka qenë këshilltar juridik në Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë nga qershori deri në shtator të 1999-ës, raporton “Betimi për Drejtësi“, transmeton Gazeta Enigma.
“Dëshmitari Ë02183 ka qenë këshilltar juridik në Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë nga qershori deri në shtator të 1999. Dëshmitari Ë02183 do të japë dëshmi për situatën që ka parë në Kosovë kur ka mbërritur dhe takimet që ka pasur me udhëheqësit e UÇK-së dhe çështjet që kanë diskutuar së bashku. Dëshmitari Ë02183 do të japë dëshmi për njësitet policore të UÇK-së, autoritet lokale dhe tensionet që kanë pasur UNMIK-u me qeverinë e përkohshme të Kosovës”, tha prokurorja Iodice.
Hansjoerg Strohmeyer ka pohuar se pranonin raporte për krime që pretendohej se anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) i kryenin në kohën kur ai ishte si këshilltar juridik në Administratën e Përkohshme të UNMIK-ut që ishte në Kosovë.
“Edhe njëherë, edhe në këtë rast nuk është se më kujtohet ndonjë rast konkret. Megjithatë, këto ishin llojet e raporteve që ne merreshim aso kohe”, tha Strohmeyer.
Prokurorja Vega Iodice ia prezantoi fillimisht dëshmitarit disa shënime të cilat sipas saj thonë se ka pasur raportime të rrahjeve dhe kidnapimeve nga anëtarët e UÇK-së.
Veç kësaj, Strohmeyer pohoi se në javët e para të vendosjes së tyre në Kosovë kishin vështirësi në ushtrimin e mandatit.
“Javët e para të vendosjes tonë sikurse e shpjegova edhe më herët, të nderuar gjykatës në fillesa ishte e vështirë për të ushtruar mandatin tonë dhe ne kishim frikë që në fakt nuk do ta ushtronim dot funksionin tonë dhe kishim përshtypje që për shkak të zhvillimeve mbase nuk do ta kishim të mundur që të krijonim një administratë civile në Kosovë”, tha ai.
Dëshmitari tha se në kohën kur ka qenë në Kosovë, ka vizituar një apo dy herë Pejën.
“Në njërën prej herëve kemi shkuar për të diskutuar çështje konkrete dhe sikur që e kam thënë në një pjesë të deklaratës sime: një mënyrë për të matur procesin ose për të qenë i dukshëm që UNMIK-u ishte i pranishëm dhe për të dhënë kontributin e vet për sigurinë dhe rendin ishte që të caktohej shumë shpejt një grup mobil dhe një trup gjykatësish për emergjencat dhe nuk mund të them nëse bëhet fjalë për këto rastet që shkruhen në raport. Nuk e di nëse janë këto rastet që kanë bërë të mundur shkuarjen time në Pejë, por unë vetë nuk kam qenë pjesë e paneleve se nuk ka qenë detyra ime që të shkoja si gjykatës i përkohshëm apo si pjesë e paneleve të tilla, por jam i sigurt që këta gjykatës kanë shkuar dikur eventualisht në terren”, tha Strohmeyer.
Sipas kryetarit të trupit gjykues Charles Smith III, dëshmia e këtij dëshmitari është parashikuar që të zgjasë rreth dy ditë. Ai tha se Prokurorisë i nevojiten një orë e gjysmë, ndërsa ekipet e mbrojtjes kanë parashikuar gjashtë orë për kundërpyetje.