Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa që nga fillimi i fushatës zgjedhore e cila ka nisur më 11 janar e deri më sot, ka shqiptuar gjoba në vlerë totale prej 125,000 euro ndaj subjekteve politike. Fushata zgjedhore do të zgjasë deri më 8 shkurt 2025.
Vetëm brenda një dite, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka shqiptuar gjoba në vlerë prej 42 mijë euro ndaj partive politike për shkelje gjatë fushatës zgjedhore.
Sipas vendimeve që ka publikuar PZAP më 19.01.2025 në faqen e saj zyrtare shihet se ankuesi i vetëm për këto raste është partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.
Gjoba më e lartë e shqiptuar nga PZAP në këto vendime është në vlerë prej 8 mijë euro. Ndërsa, afati për shlyerjen e tyre është 15 ditë, nga plotfuqishmëria e vendimit.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa më 19.01.2025 ka shqiptuar gjoba në vlerë prej 42 mijë euro për shkelje të Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike, Mbështetësit e tyre dhe Kandidatët.
Në ankesën e LVV-së paraqitur kundër PDK-së në PZAP, thuhet se Qendra e LVV-së në Skenderaj ka identifikuar posterin e vendosur në hapësirat publike, konkretisht në rrugën “Osman Geci”, të kandidates për deputete nga radhët e PDK, Blerta Deliu Kodra. E vlera e gjobës sipas këtij vendimi është 4 mijë euro.
Një tjetër ankesë e LVV-së është sërish kundër PDK-së në të cilën thuhet se Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj ka identifikuar posterin e vendosur në hapësirat publike, konkretisht në rrugën “Pazari i vjetër”, të kandidates për deputete nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu Kodra. Vlera e gjobës sipas këtij vendimi është 5,500 euro.
Po nga LVV kanë dërguar ankesë në PZAP në të cilën bëhet e ditur se Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj ka identifikuar posterin e vendosur në hapësirat publike, konkretisht në rrugën “Pazari i vjetër”, të kandidatit për deputet nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku. Vlera e gjobës është 4 mijë euro.
Sërish LVV-ja në ankesën e saj dërguar në PZAP pretendon se më 16 janar 2025, Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj ka identifikuar posterin e vendosur në hapësirat publike, në rrugën “Osmani Geci”, të kandidatit për deputet, Mërgim Lushtaku. Vlera e gjobës është 5,500 euro.
Edhe ankesa tjetër vjen nga LVV në të cilën pretendohet se Armend Ahmeti, punonjës në Komunën e Skenderajt dhe aktivist i Subjektit Politik PDK, në profilin e tij në Facebook story ka postuar një video në të cilën nënkryetari i PDK-së, Sami Lushtaku i ka quajtur aktivistët e LVV-së “Zagar”. Vlera e kësaj gjobe është 8 mijë euro.
LVV-ja me seli në Prishtinë është ankuar për një rast në të cilën pretendohet se kryetari i subjektit politik NISMA për Kosovën, njëherit kandidat për deputet nga koalicioni AAK-NISMA ka mbajtur tubim zgjedhor dhe takim me punonjës të Shtëpisë së Shëndetit në Malishevë “Shpëtim Robaj”, në kundërshtim me dispozitat ligjore. Vlera e gjobës është 8 mijë euro.
Në ankesën e radhës LVV-ja dërguar në PZAP pretendon se më 16 janar 2025, Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj ka identifikuar posterin e vendosur në hapësirat e organeve shtetërore, në rrugën “Fadil Rrustemi”, në Skenderaj ku me këtë veprim subjekti PDK ka shkelur dispozitat e legjislacionit në fuqi. Vlera e gjobës është 3,500 euro.
LVV me seli në Prishtinë është ankuar edhe për Lidhjen Demokratike të Kosovës në të cilën pretendohet se më 16 janar 2025, LDK-ja ka vendosur bollboard/posterë në hapësirat e stadiumit “Shahin Haxhiislami”, në rrugën “UÇK”, në Pejë. Vlera e gjobës është 3,500 euro.
Lëvizja Vetëvendosje në një ankesë tjetër që ka dërguar në PZAP, sipas këtij vendimi bëhet e ditur se kjo i referohet shkeljeve nga mediat, dhe në këtë rast PZAP e ka përcjell në Komisionin e Pavarur për Media për trajtim në pajtim me dispozitat e Ligjit të KPM-së.
Ndërsa, një ankesë e subjektit politik Demokracia Serbe është refuzuar nga PZAP në të cilën thuhet se ka parashtruar ankesë nga vendimet e KQZ-së të datës 14.01.2025 duke theksuar se subjekti i tyre politik sërish nuk ka marr përfaqësues në këshillat zgjedhore në Komunat e Zubin Potokut, Zveçan, Shtërpcë, Novobërdë, Kllokot dhe Partesh.
Totali i gjobave të shqiptuara ndaj subjekteve politike me vendimet e PZAP-it, deri më tani është 125,000.00 euro.
Ditë më parë Demokracia në Veprim (DnV), tha se që nga fillimi i fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit është vërejtur gjuhë nxitëse dhe e urrejtjes mbi baza politike, si në tubime politike, por edhe në komente në platforma online.
Në një konferencë për media më 18 janar, Eugen Cakolli nga DnV, tha se gjatë kësaj jave ka pasur përkeqësim të gjuhës së ashpër të përdorur në fushatë.
“Këtë javë kemi pasur ashpërsim e përkeqësim të gjuhës së përdorur në fushatë, me plotë 25 aktivitete gjatë monitorimit të së cilave janë raportuar raste të përdorimit të gjuhës së nxitjes apo urrejtjes, kryesisht mbi baza politike”.
Zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 9 shkurt 2025, ku në garë janë 28 subjekte politike dhe një kandidat i pavarur.
Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008. Deri më tani, në vend janë mbajtur një sërë zgjedhjesh të parakohshme
Në garë janë mbi 1.200 kandidatë, prej të cilëve do të zgjidhet përbërja e re e Kuvendit, dhe katër kandidatë për kryeministër: Albin Kurti i Vetëvendosjes, aktualisht në pushtet, Bedri Hamza i Partisë Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Kosova, me mbi 2 milionë votues të regjistruar brenda dhe jashtë vendit, mban zgjedhjet parlamentare më 9 shkurt.